Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSBE-në do të bëjnë trajnimin e policive për krimet e urrejtjes. I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori Florian Rauning tha se është mjaft e rëndësishme respektimi i të drejtave themelore të njeriut.
“Të mbrohen të drejtat themelore të çdo qytetari të vendit, pavarësisht se nga vjen ai dhe ajo”, tha Rauning.
Ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi se ky është ndër trajnimet me veçanta të policisë. Sipas tij, synimi kryesor është parandalimi i ngjarjeve kriminale.
“Dua t’u falënderoj për fillimin e një prej trajnimeve më të veçanta të Policisë së Shtetit. Aftësimi i Policisë së Shtetit lidhet së pari me respektimin e të drejtave themelore të njerëzve. Një nga parimet bazë është profesionaliteti dhe respektimi i të drejtave bazë të qytetarëve të saj. Ky është një element i rëndësishëm për ndalim e krimeve”, theksoi Çako.