Nga Mero Baze
Një nga gjërat ku Shkëlzen Berisha ngjan pikë për pikë me babain e tij, është mënyra se si përpiqen të gënjejnë. Edhe babai i tij kur e akuzon që e ka kapur “me presh në duar”, thotë gjithmonë kjo është gënjeshtër, ato nuk janë qepë. Në fakt ti nuk i ke thënë qepë, por presh.
Pak a shumë kështu po bën dhe Shkëlzeni.
Njeriu kyç që ishte përgjegjës i biznesit në Shqipëri për ripaketimin e fishekëve kinezë, David Packouz, ortaku i Diverolit, thotë qartë se kontratën e fituam falë rekomandimit që Ylli Pinari u bëri për biznesmenin Delijorgji, i cili rregulloi takimin ku ishte prezent dhe Shkëlzen Berisha.
“Në fund Ylli Pinari thotë: Do të rregulloj një takim me personin që do ta marri këtë vendim. Dhe siguron një takim me personin që quhej Delijorgji. Delijorgji, morëm vesh më vonë, ishte kreu i mafias shqiptare. Dhe në një farë mënyre është i përfshirë me këtë dhe është i lidhur me djalin e kryeministrit, që ishte prezent në takim”.
Kjo deklaratë tregon më shumë se sa një takim rastësisht me Shkëlzen Berisha. Kjo tregon mekanizmin se si rregullohej një kontratë në kohën e Sali Berishës, e cila më pas pati pasoja deri në SHBA.
Përpjekja e Shkëlzenit për të thënë që ky Packouz nuk ishte në takim, është qesharake, pasi ai nuk thotë që isha unë në takim, por thotë që ishte Shkëlzeni me Deljiorgjin dhe ortakun e tij.
Pra Shkëlzeni kërkon të përgënjeshtrojë që Packouz nuk ishte në takim, çka nuk e pretendon asnjë.
Akoma më banale është historia që përpiqet të shpjegojë me deklaratën e Diverolit në sallën e gjyqit.
Shkëlzen Berisha e ka humbur atë betejë me gjyqin që hapi në SHBA. Ai, njësoj siç beson gënjeshtrat e veta, mendoi se dhe drejtësia amerikane mund të besonte gënjeshtrat e tij dhe hapi gjyq kundër autorit të librit mbi Gërdecin për këtë histori, duke tentuar të përdorë deklaratën e Diverolit në gjyq.
Deklarata e Diverolit është një manovër avokati për të ulur dënimin e tij, pasi nëse do pranonte se kishte korruptuar djalin e kryeministrit, do merrte dhe nja 8 vite burg më shumë, nga 4 që mori.
Dhe drejtësia amerikane ja vuri në dukje këtë Shkëlzen Berishës tek vendimi i gjyqit që humbi dhe që akoma nuk ka sqaruar se si e pagoi shtrenjtë atë procedurë gjyqësore, ku kërkonte 60 milionë dollarë dëmshpërblim.
Në momentin që ai e ka humbur këtë gjyq, ai ka humbur të drejtën të shpikë një gënjeshtër distancimi nga kjo histori. Gjyqi në SHBA kundër tij hodhi poshtë pretendimin e tij se nuk ishte i përfshirë në këtë histori.
Njësoj si gjyqi i babait të tij në Londër, që hodhi poshtë pretendimet e tij se ai nuk ka lidhje me grupe kriminale dhe nuk është i përfshirë në korrupsion.
Shkëlzen Berisha është nën akuzë jo thjesht se ka takuar Diverolin me Ylli Pinarin e Delijorgjin, por më shumë se kaq, se ishte aty garanti i pushtetit për atë kontratë. Ai dhe mund të mos ishte fare në takim, se i mjaftonte dhe një telefonatë. Ka qenë se ishte arrogant dhe i sigurtë se pushteti ishte i tij.
Dhe kjo është akuza që ngrihet ndaj tij. Me këtë duhet të përballet në gjykatë dhe në SPAK, dhe jo me shpikjet e tij fëminore që kush ishte e kush nuk ishte në atë takim.
Ato nuk i hyjnë në punë njeriu. Ajo që është vepër penale, është kapja e shtetit nga familja Berisha dhe fakti që një kontratë lidhej vetëm me mbështetjen e tij.
Për kaq duhet të hetohet e gjykohet. Pastaj kush nuk ishte në takim, nuk është vepër penale. As ne të tjerët s’kemi qenë në atë takim, por kjo nuk e shfajëson Shkëlzenin. Atë e fajëson fakti që ai ka qenë në një takim në emër të pushtetit të babait për të bërë miliona. Po kaq fajtor do ishte dhe po të mos ishte fare në takim, por që takimi të organizohej nën mbështetjen e tij, çka është një mijë për qind e sigurtë.
Se nëse kthehemi pas në vitin 2008, në fillim ka deklaruar që nuk e njihte fare Delijorgjin, pastaj që nuk ka folur kurrë në telefon e tani që nuk ka qenë kurrë në takim.
Por kur i dolën tabulatet që fliste 20 herë në javë dhe gjysmë ore pas shpërthimit duke i qarë hallin, pranoi të lëpinte ato që kishte pështyrë. Prandaj mos të nxitohet as për takimin. Dhe po ka gjë, le t’ia sqarojë SPAK-ut, jo shtypit.
Ky MERRO BAZE MERRO do ngelet derisa RRAM KOMUNISTI ENVERISTI TE BEJE SHURREN NE BREKE ..AH MERRO TI QE PELQEN LITARET E KRRISTAQ RRAMES QEROS DO MBETESH EDHE NE SHPIRT…MBA$EE ZOTI TE DENON.