Nga Alba Malltezi
Në një nga bar Sophie-të e kryeqytetit, dy vajza po gjerbin me nge nga një kafe e kapuçino. Janë veshur e krehur bukur e njëra prej tyre ka vënë mbi tavolinë, në buzë të trotuarit, një çantë “Gucci”. E vërtetë apo fake, atë çantë, në asnjë kryeqytet europian nuk do të mund ta linte ashtu shkujdesur. Do ta mbante ngjitur apo fshehur nga frika se pa mendje dikush do t’ja tërhiqte me forcë. Në të njëjtën kafe, të tjerë shijojnë ujin e freskët, hijen dhe pijet me një ritual që në gusht këtu në Tiranë, zgjat akoma më shumë se në çdo muaj tjetër të vitit.
Aty përballë, një mesoburrë me një qese mbushur me plastika të ndryshme përkulet dhe me një elegancë të stërvitur, merr një pip plastik, e shtrëngon fort në grusht për të kuptuar nëse është apo jo në të vërtetë plastik dhe vazhdon rrugën drejt. Sa vlerë merr për një banor të kryeqytetit një pip plastik, që nga dhjetëra të tjerë mund të hidhet me përbuzje në rrugë, pasi e ka përfunduar misionin e shijimit të lëngut të radhës. Në pak metra bashkëjetojnë ngjitur pallate të reja luksoze, pallate të vjetra të ndërtuara me punë vullnetare 40 apo 50 vite më parë dhe rrethimi për një kullë “ekstra terrestre”. Fotografitë, në atë që kulla mendohet të jetë, duken, pak të thuash, spektakolare: Gjelbërim, mjedise të përbashkëta, apartamente si në filma të xhiruar në New York. Duke parë se si kanë dalë disa nga këto kulla sot, është e vështirë të besosh se çfarë tregohet në foto do të përputhet me realitetin, sidomos sa i takon gjelbërimit vertikal. Aty më parë ka qenë një Universitet privat dhe prestigjoz. Afër mendsh “pronari” që e pat, duke bërë dy llogari, i leverdiste më mirë të bënte në qendër të Tiranës kullën e lartë se sa dijen, që e ka degdisur me vrap në ndonjë periferi pa nam e nishan.
Në gusht, në Tiranë, kontradiktat dallohen më qartë, preken më lehtë. Ndërsa elita vrapon të tregojë nëpër socialmedia se po kalon ditët e nxehta në jahte, rezorte luksi në Dhërmi, në Sardenjë, Capri, Itali, Francë, Turqi, Spanjë, Dubai… në restorantet e vogla familjare nëpër lagje puna vazhdon. Byrektoret, sufllaqet, zgarat korçare, qofshin ato supreme apo jo, ushqejnë turistët, që këtë herë dallohen të jenë dhe familje, që ecin të veshur komodë në vapën e Tiranës së boshatisur nga paria e saj.
Tirana duket e pastër, por herë pas here me kazanët plot, dhe sidomos rreth kazanëve janë gjurmët e njollave dhe të plehrave të një viti të tërë që nuk janë larë ndonjëherë as nga shiu, as nga punëtorët e pastërtisë së kryeqytetit.
Tiranasit e rinj e të vjetër, në gusht, kanë më shumë kohë të tregojnë më të mirën e tyre në mirësjellje, por nëse qëllon, dinë të tregojnë se dhe acarimi nuk ka kufi.
Pas duraluminëve rrëzëllitës është vështirë të kuptohet jeta e tiranasve të rinj, ndërsa pallatet e vjetra, pa kompleks, e shpalosin jetën e tyre “krenarë” mes komshinjsh: Bisedat në ballkon, çarçafët shumëngjyrësh të shpalosur për të bërë hije në vend të tendave profesionale që kanë vënë disa; vazot me lule nuk mungojnë dhe janë të përmasave dhe ngjyrave të ndryshme.
Tirana është dashuri dhe dhimbje në ditët e nxehta të gushtit. Dashuri për thjeshtësinë, që ka mbetur akoma në këtë qytet të ngrohtë e që shumë e sulmojnë dhe nënvleftësojnë dhe dhimbje për “megallomaninë” që merr përherë e më shumë vend dhe të tepërt, e adhurojnë.