Një aeroplan pasagjerësh është rrëzuar në San-Paolo të Brazilit, ndërsa mësohet se asnjëri nuk i ka mbijetuar përplasjes.
Avioni i linjës VoePass ishte drejtuar për në aeroportin ndërkombëtar të Guarulhos në San-Paolo, kur mori flakë dhe ra bashkë me 58 pasagjerët dhe 4 anëtarët e ekuipazhit në qytetin e Vinhedos.
Shkaqet për rrëzimin e aeroplanit Voepass ATR-72 janë ende të paqarta.
Inxhinieri Celos Faria de Souza, ekspert kriminalist në aksidentet aeronautike dhe drejtor i Shoqatës Braziliane të Sigurisë në Fluturime (Abravoo), deklaroi për “O Globo” se bazuar në imazhet e deritanishme, me 95% siguri ka pasur një arsye kryesore: “Shihet një formacion akulli në zonën e aksidentit. Akulli mund të jetë formuar në krahun e avionit dhe sistemi i shkrirjes, për disa arsye, nuk ka funksionuar. Me këtë, avioni humbet lartësinë dhe bie siç e shohim në video.”
Gjatë një aktiviteti në jug të Brazilit, presidenti Luiz Injacio Lula da Silva u kërkoi pjesëmarrësve të mbanin një minutë heshtje teksa ndau lajmin me ta. Ai tha se pasagjerët dhe ekuipazhi kishin humbur jetën, por pa sqaruar burimin e këtij informacioni.
Televizionet braziliane shfaqën pamjet të një zone të mbuluar nga zjarri dhe tymi prej copave të avionit në një zonë të banuar me shtëpi. Pamjet e tjera treguan një avion duke u zhytur vertikalisht drejt Tokës dhe duke kryer spirale gjatë kohës që rrëzohej.