Interesi i maturantëve për Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Politeknik është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e shkuar.
Numri i maturantëve që kanë zgjedhur tre programet e studimit në këtë fakultet është 3222 kandidatë, duke u 8-fishuar në krahasim me vitin e shkuar, që ishin vetëm 400 maturantë në garë. Viti shkuar solli ulje të ndjeshme të aplikantëve dhe për shkak të rikthimit të konkursit pas më shumë se 10 vitesh.
Sipas listave të publikuara në programin e integruar 5-vjeçar në arkitekturë, profili arkitekt garojnë 1279 kandidatë për 100 kuota, ndërsa për profilin urbanist janë 580 kandidatë për 55 kuota. Ndërkohë që rritjen më të madhe të numrit të kandidatëve e ka programi 3 vjeçar, bachelor në arkitekturë interieri dhe dizajn, pasi janë 1361 kandidatë për 35 kuota pranimi.
Konkursi i pranimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, do të zhvillohet në datën 22 Gusht 2024, në sallën e Pallatit të Kongreseve, Tiranë.
Të drejtën për të zhvilluar konkursin e pranimit në arkitekturë dhe urbanistikë e kanë të gjithë kandidatët të cilët, këto programe studimi i kanë përzgjedhur në një nga 10 programet në formularin A2, dhe kanë kryer paraprakisht regjistrimin për të marrë pjesë në konkurs.
Regjistrimi për të marrë pjesë në konkurs do të kryhet në periudhën 12-16 gusht, nga ora 08:-00 deri në orën 16:00 pranë zyrës së sekretarisë mësimore të Fakultetit të Arkitekturës dhe urbanistikës. Pagesa e regjistrimit është 3500 lekë.
Koha e zhvillimit të testit të pranimit në arkitekturë është 2 orë. Testi do të përmbaj 60 pyetje dhe përgjigjet e pyetjeve do të jenë me përzgjedhjen e alternativës së saktë, në mënyrë që të mundësojë korrigjimin elektronik.
Testi është i ndarë në katër pjesë, Test i arsyetimit logjik; Test i kulturës së përgjithshme ;Test i historisë së arkitekturës; Testi i vizatimit dhe prezantimit. Secila pjesë e tij vlerësohet me 25% të pikëve.
/a.r