SHBA ka reaguar ashpër me anë të Ambasadës së saj në Prishtinë për mbylljen e 9 degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Deklarata e Ambasadës është e ashpër, duke thënë se veprimet e pakoordinuara minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
“Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj degëve të postave serbe në veri të Kosovës.
Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, mbyllet reagimi i Ambasadës së SHBA në Kosovë.
Ndërsa Bashkimi Evropian e ka quajtur aksionin si shkelje e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkimi Evropian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme.
BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti.
I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e BE-së.