Rikthehet kapiteni Lautaro Martinez, por dëmtohen dy lojtarë të tjerë për Interin: Piotr Zielinski dhe Marko Arnautoviç. Teksa trajneri Inzagi bëhet gati të përqafojë argjentinasin, ka mësuar 2 lajme negative. Mesfushori polak pritet që të mungojë afro 15-20 ditë, ndërsa sulmuesi austriak disa ditë më pak.
Dy lojtarët kanë bërë disa ekzaminime për të parë realisht shkallën e problemeve fizike që ndjen pas miqësores me Pizën. “Marko Arnautoviç dhe Piotr Zielinski kanë bërë disa ekzaminime në klinikë. Sulmuesit austriak iu evidentua një zgjatje e vogël e muskulit të mesëm të kofshës së majtë. Situata e tij do të ndiqet hap pas hapi. Ndërkohë që për mesfushorin polak ka një tërheqje muskulore në kofshën e majtë”, shkruhet në komunikatën e klubit.
Lajme aspak pozitive në prag të ndeshjes me Xhenoan sa i përket Zielinskit. Pas Mehdi Taremit, i cili po kalonte një formë të mirë dhe ishte programuar si lojtari titullar për sfidën debutuese të kampionatit tani edhe 2 të tjerë nuk do të jenë të gatshëm. Interi po humbet pjesët, por ka kohë për t’i rikuperuar për të ardhmen.