Pesë nga tetë sportistët kuqezi që përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” i kanë mbyllur konkurrimet e tyre.
Rezultatet deri më tani kanë qenë modeste dhe në disa raste jo në nivelin e pritshmërive. Luiza Gega nuk arriti të ishte pjesë e finales në 3 mijë metër me pengesa.
Franko Burraj ishte i shtati në baterinë kualifikuese të 100 metrave, regjistroi kohën më të mirë personale por nuk theu dot rekordin kombëtar.
Paraqitja e Koninit në qitje ishte modeste, duke u pozicionuar në vendet e fundit. Ajo ishte e 37-ta në 25 metër me pistoletë me ajër dhe në vendin e 43 në distancën 10 metër.
Edhe noti ishte thjesht për përfaqësim, me Kaltra Meça dhe Grisi Koxhaku që konkurruan vetëm në bateritë kualifikuese, pa arritur të vazhdojnë më tej. Mundja është shpresa e vetme e Shqipërisë për medaljen e parë olimpike në histori. Abakarov, Dudaev dhe Valiev konkurrojnë në datat 8, 9 dhe 10 gusht.