Nga Ben Andoni
Dita e 8 Prillit, momenti kur do të sanksionohet si institucion presidenca e re e Hashim Thaçit, është vendosur përfundimisht të hënën e 4 Prillit. Në fakt, thuhet është vendosur zyrtarisht, pasi faktikisht, që një ditë më parë, stafi i tij ka bërë të njohura ftesat (nuk jemi të sigurt nëse i ka shpërndarë që shumë kohë më parë verdiktit të Kushtetueses), ku çdo të ftuari i tregohet vendi dhe ceremonia presidenciale. Ajo që të bie në sy dhe të dhemb disi është mosrespektimi i Ligjit, konsakruar nga Gjykata Kushtetuese edhe nga vetë Presidenti i sapovendosur. Që do të thotë se protokolli i vet, megjithëse e dinte mirë se presidentit të ri, nuk do t’i kthehej mandati, i takonte që ftesat, qoftë edhe për etikë, duhej t’i shpërndante fill pas dhënies së verdiktit final. Kjo s’ka ndodhur. Verdikti ka qenë vendosur dhe të gjithë e dinin mirë se ascili nuk do e kthente pas Thaçin. Pra, presidenti me gjithë premtimet për respektimin e ligjit kushtetues, garantues i të cilit do të mëtojë të jetë dhe do betohet për këtë, e ka treguar me një element fare të thjeshtë sesa e respekton realisht atë.
Megjithë anatemën që kanë opozitarët kosovarë për Gjykatën Kushtetuese nuk duhet harruar se ajo dha vendimin sipas të cilës pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Edhe pse, nën presionin e një politike pa ligje dhe pa rregulla loje, e la vendimin disi të paqartë, kur shtoi se asociacioni do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga parlamenti i Kosovës, përkatësisht sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë!!!
Vetëm pak javë më vonë, po kjo Gjykatë Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e opozitës për zgjedhjen e Hashim Thaçit, President të Kosovës. Është dashur plot një muaj dhe pa u nisur ende puna e Gjykatës, vendimi ka qenë i kontestuar nga Opozita, kurse akoma më e papranueshme ka qenë ngutja e pakuptueshme nga shkëlqesia e tij Thaçi dhe stafi i tij, për të vepruar ende pa u konsakruar.
Deri më sot, në historinë e saj Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rekorde interesante. Ajo ka rrëzuar pretendimin e presidentit Fatmir Sejdiu dhe atij Bexhet Pacolli, një arsye për ta respektuar. Një gjë, që në Kosovë ende nuk vlerësohet si duhet, në luftën e madhe që është sot për pushtet.
Anipse, një shtet e tregon fytyrën e tij, kur respekton institucionet, kurse në këtë rast, kemi treguar se kemi ende rrugë në shtetformim, mu bash atë që na akuzojnë më shpesh cinikët, që e kemi të vështirë të bëjmë shtet dhe institucione. Shkëlqesia e tij Thaçi ose “stafi i tij” e tregoi sesa i pasjellshëm ishte duke mos e pritur vendimin e Kushtetueses, qysh pa nisur punën. Kështu, koha e tij (lexo presidenca e tij), po duket qysh në fillim.