Pas skualifikimit nga Lojërat Olimpike të Parisit, atletja Luiza Gega ka reaguar përmes një postimi emocionues në Instagram. Ajo thotë se ndjehet totalisht e dështuar pasi nuk siguroi dot finalen e atletikës në Lojërat Olimpike. Ish-kampionia e Evropës tregon se mori pjesë edhe pse nuk ishte në gjendje të mirë fizike për shkak të problemeve që ka kaluar.
“Është kaq e vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem. E di që do kalojë, çdo gjë kalon me kohën, por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtet jam munduar dhe ëndërruar që do ia dal pavarësisht se gjërat që në muajin prill, pasi u sëmura morën “dishezën”.
Gjithsesi përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesitë jo të mira të trupit tim, përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të nivelit por në fakt nuk ndodhi kështu.
Edhe përse nuk e kam thënë kam qenë në dilemë të madhe me veten nëse duhet të vija apo jo por e di që pengu për të mos e provuar do më lëndonte më shumë.
Dua vërtet ti kërkoj falje kujtdo që besoi tek unë dhe e zhgënjeva dhe falënderoj të gjithë ata që më mbështesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira. Endrra e Parisit mbyllet sot”, shkruan Luiza Gega.
/a.r