Numri i kartave bankare në tregun shqiptar ka njohur rritje të fortë gjatë viteve të fundit, por pjesa më e madhe e tyre vijon të përdoret vetëm për të tërhequr pagën. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, vitin që lamë pas tregu i kartave të kreditit shënoi rritje me 7.1% krahasuar me një vit më parë duke arritur në 121 mijë.
Rritja e përdorimit të kartave të kreditit, sipas sektorit bankar, lidhet edhe me fluksin e shtuar të turistëve të huaj të cilët preferojnë pagesat me kartë dhe më pak cash, duke shtyrë edhe bizneset të pranojnë pagesat me këto instrumente. Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i pagesave me kartë gjatë vitit 2023 arriti në afro 3 milionë e 332 mijë duke shënuar një rritje me rreth 500 mijë veprime më shumë se në vitin 2022.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023 transaksionet me kartë si pagesa, tërheqje apo depozitime, në pikat elektronike të shitjeve arritën në pothuajse 14.5 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, Banka Qëndrore bën të ditur se ndër faktorët e tjerë që kanë favorizuar përdorimin e këtyre instrumentave është edhe rënia e normave mesatare të interesit për kartat e kreditit, të cilat për 6-mujorin e parë 2024 arritën në 19.7% për kartat në lekë dhe 17.7% për kartat në Euro.