Ashtu siç edhe pritej, Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fillmgushtit koeficientët e rinj të rivlerësimit të pagave për efekt pensioni. Janë mbi 20 mijë persona, që mbushin çdo vit moshën e daljes në pension, e që preken nga ky vendim, i cili reflektohet në masën e përfitimit. Kjo, pasi sa më e lartë të jetë paga mbi bazën e të cilës derdhen kontributet, aq më i lartë llogaritet edhe pensioni.
“Koeficientët do të ndikojnë në rritjen e bazës së vlerësuar për personat, që do të aplikojnë për pensione të reja duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura në kohë. Vendimi është i zbatueshëm për pensionet që lidhen pas datës 1 korrik 2024.”, ka sqaruar Ministria e Ekonomisë duke bërë me dije po ashtu se “koeficientët nuk janë për ideksimin e pensioneve, por për aktualizimin e pagave kontributive, duke i sjellë ato në vlerën e tanishme.
Thënë kështu, pas miratimit të këtij vendimi aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 12.257. Ndërsa, pas vitit 1994, koeficientët janë të ndryshëm, duke pësuar rënie nga viti në vit. Konkretisht, për vitin 1995, koeficienti është 9.864, për pagat e 1996 është 7.653, i njëjti aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë. Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 6.395, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 5.190 e kështu me radhë deri në vitin 2022.
Për dy vitet e fundit, pra, për 2023 dhe 2024 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë. Rivlerësimi i pagave, mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet iu jep mundësi të gjithë atyre që dalin rishtazi në pension, që të përfitojnë më tepër. Kjo, pasi krahas totalit të viteve kontributive, peshë ka edhe niveli i pagës. Sa më e lartë të jetë baza e vlerësueshme për efekt të llogaritjes së pensionit, aq më i lartë do të jetë edhe përfitimi mujor.
Pas reformimit të skemës në 2015-n, formula e llogaritjes së pensionit përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është 9327 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit është 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Sa i takon rritjes së përvitshme të pensioneve, për 2024 shtesa do të aplikohet në muajin tetor. Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë shumë detaje, teksa ka evidentuar faktin, që indeksimi do të bëhet bazuar në normën e inflacionit.
“Indeksimi i pensioneve do të realizohet në muajin tetor dhe si indeks do të përdoret indeksi i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve të pensionistëve”, thuhet në njoftim. Në këto kushte, shtesa pritet të jetë modeste, duke qenë se norma e inflacionit është luhatur në vlerën 2 deri në 3 për qind.