Për një kompani gjermane, përqafimi i ftohtë i vdekjes nuk ka pse të trembë askënd.
Tomorrow Bio u ofron klientëve të saj mundësinë për t’u ngrirë pas vdekjes kështu që ngjallen në të ardhmen kur teknologjia të ketë përparuar mjaftueshëm. Pavarësisht kostos marramendëse prej £170,000 (ose £63,000 nëse dëshironi të ngrini vetëm trurin), laboratori i parë i krioprezervimit në Europë po korr sukses.
Kompania e themeluar në vitin 2020 ka ngrirë tashmë 6 njerëz dhe 5 kafshë ndërsa më shumë se 60 anëtarë po presin mundësinë e tyre.
Bashkëthemeluesi i kompanisë, Fernando Azevedo Pinheiro tha për MailOnline: “Personalisht, besoj se brenda kohështrirjes së jetës sime, jam 40 vjeç, do të dëshmoj krioprezervimin e sigurt dhe ringjalljen e organizmave të ndërlikuar”.
Por si funksionon procedura? Një njeri që ka ndërruar jetë së fundmi nga shkaqe natyrore merret sa më shpejt të jetë e mundur nga ambulanca e Tomorrow Bio. Këto të fundit funksionojnë si dhoma kirurgjikale të lëvizshme.
Ekipi e vendos trupin në një banjë me akull duke i bërë masazh në zemër dhe duke i dhënë oksigjen për të ngadalësuar dekompozimin. Ata përpiqen që temperatura e trupit të arrijë në -80 gradë.
Nëse kjo do të ndodhte në kushte normale, uji brenda qelizave do të ngrinte dhe do të kthehej në kristale akulli duke dëmtuar indet rreth tij, ndaj kompania ndjek procesin e kriombrojtjes.
Kjo është një ndërhyrje kirurgjikale ku lëngjet e trupit zëvendësohen nga agjentë që i mbrojnë organet nga ngrirja ndërkohë që temperatura e trupit vazhdon të ulet. Me ftohjen e tij deri në -196 gradë, trupi kalon në fazën fillestare që ndodhej përpara vdekjes.
Ai qëndron në këtë gjendje për 10 ditë përpara se të zhvendoset në ‘shtëpinë’ e re, një dhomë çeliku me vakuum, 3.20 metra e gjatë që është e mbushur me azot të lëngët. Këta kontenierë s’në nevojë për elektricitet që të ruajnë ftohtësinë ndaj kompania thotë se mund të ruhen pafundësisht, për sa kohë që shtohet herë pas here një sasi azoti.
Kështu në të ardhmen, ai mund të ringjallet e madje edhe të mjekohet për shkakun që e bëri të ndërronte jetë. Në teori, pacientët mund të presin për qindra vite nën kujdesin e kompanisë derisa teknologjia të jetë gati për t’i kthyer në jetë.