Agjencia franceze e lajmeve AFP shkruan se dy qendrat në Shëngjin dhe Gjadër ende nuk janë gati për të pritur emigrantët e shpëtuar në ujërat italiane. Në një artikull kushtuar marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, AFP shkruan se dy vendet nuk arritën t’i përmbahen afatit për të hapur qendrat e pritjes këtë të enjte.
“Kompleksi i dy qendrave do të jetë funksional nga 1 gushti,” – u zotua kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjatë një vizite në Shqipëri në fillim të qershorit. “Vetëm disa njësi banimi janë ngritur në kampin e Gjadrit, ku ka pak shenja se do të përfundojë së shpejti.”- shkruan AFP.
Sipas kësaj agjencie autoritetet italiane, të cilat janë përgjegjëse për ndërtimin dhe drejtimin e kampeve, kanë hezituar të japin një datë të re. Sipas marrëveshjes të nënshkruar mes Romës dhe Tiranës, emigrantët e shpëtuar në det në ujërat italiane do të dërgohen në dy qendra në Shqipëri, ku do të presin përpunimin e kërkesave të tyre për azil nga autoritetet italiane, ndërsa ata që konsiderohen më të rrezikuar do të dërgohen në Itali.
Kryeministrja Meloni tha se objekti do të kishte një kapacitet fillestar prej rreth 1 mijë personash dhe do të zgjerohej gradualisht për të strehuar 3 mijë. 10 gjyqtarë do të mbikëqyrin seancat dëgjimore përmes video konferencës me azilkërkuesit në Shqipëri- shkruan AFP.