Në moshën 25-vjeçare ylli i kombëtares franceze dhe Real Madrid, Kylian Mbappe është zyrtarisht pronari më i ri i një klubi në futbollin evropian.
Sulmuesi transalpin ka hedhur një hap të ri në karrierë, pasi së bashku me familjen ka blerë klubin e njohur francez të Caen, që militon në kategorinë e dytë prej vitit 2019 kur u rrëzua nga Ligue 1.
15 milionë euro do të jetë shuma që Mbappe do të investojë përmes fondit të tij të investimeve “Coalition Capital” për të blerë 80% të aksioneve të Caen, ndërsa në marrëveshjen e arritur sulmuesi ka dhënë garanci se do të shlyejë një pjesë të borxhit të klubit.
Mbappe bëhet kështu President i klubit duke zëvendësuar aksionerin e shumicës, fondin amerikan të investimeve Oaktree, të cilët kishin në dorë Caen që prej vitit 2020. 20% tjetër i aksioneve zotërohet nga Pierre Antoine Capton, kryetari aktual i bordit mbikëqyrës të klubit.
Duket se marrëdhënia midis Mbappe dhe Caen daton vite më parë dhe sulmuesi ka një dashuri të pashprehur për klubin francez. Kjo pasi në moshën 13 vjeçare, Mbappe pothuajse nënshkroi për ta përpara se të zgjidhte Monacon.
Sezonin e kaluar, Caen përfundoi në vendin e gjashtë, dhe pronësia e klubit synon të bëjë një përparim në mënyrë që klubi të rikthehet sërish në elitën e futbollit francez.
/a.r