Nga ARTUR AJAZI
Nuk e di pse, por të gjithë, kur ndahen nga posti dhe pushteti që kanë patur, zakonisht për “punëra të këqija”, nisin dhe shajnë, akuzojnë denoncojnë, tundin letra, shkresa pafund, duke shfajësuar krejtësisht vehten. A thua se, nuk kanë qenë edhe ata “pjesë e tortës së pushtetit”, a thua se, edhe ata nuk kanë qenë atje “ku bëhej nami”, por kanë qenë jashtë saj. Nga Helvetia, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, sërish, në një intervistë të marrë nga media e “armikut” të tij të dikurshëm, dha një intervistë të dytë. Ishte paranjoftuar ditë më parë se, “do të kemi lajme bombastike, akuza dhe denoncime ndaj qeverijes Rama”, etj, etj, broçkulla të tilla, të denja për besueshmëri vetëm për gratë e mëhallës. Foli nga Helvetia sërish “i penduari dhe armiku” i qeverisë, njeriu që para pak muajve ishte ndër njerëzit më të afërt të kryeministrit, pasi ky i fundit i kishte besuar goxha poste. Foli e foli nga Helvetia, ish-pushtetari “i ndershëm” Ahmetaj, dhe asgjë nuk i kuptova, asgjë nuk deshifrova lidhur me “korrupsionin galopant të qeverisjes Rama”. Tundi shkresa dhe tregoi gjithë xhestikulacione, mbi “ndodhi dhe ngjarje korruptive të ish-kolegëve të tij”, por asgjë nuk tha konkretisht. Foli gjatë, edhe për atë që dikush i paskësh thënë “do shkosh në të sëmës”. Madje për këtë foli gjysmën e intervistës. Nga “mik, shok, bashkëpunëtor i ngushtë, dhe njeri shumë i afërt” me Edi Ramën, në intervistën e dhënë tashmë nga Helvetia, ish-zv.kryeministri e quan atë me shpoti “mbret”. Të flasësh me përçmim nga larg për dikë, që të ka vlerësuar (ndoshta me pa të drejtë) të ka besuar poste shumë të rëndësishme, për dikë, që kur i shkoje në zyrë “i bije derës me shkelm”, tregon se je njeri i vockël. Të mohosh gjithçka që ka ndodhur mes teje, postit tënd, dhe akuzave të ngritura nga organi i akuzës, dhe t’ja faturosh “atij që mbretëron në krye të qeverisjes”, tregon karakterin e dobët, dhe mungesën e formimi, etike dhe besueshmërie. Të biesh në “prehërin” e Berishës, që deri dje, ç’nuk thoshte për ty Arben, ç’nuk të akuzonte për lidhje me afera të ndryshme korruptive, dhe të tregosh histori me “vjedhje, tendera, miliona euro”, të gjitha këto nga Helvetia, sërish tregon se je më shumë se i pabesueshëm. Tregon gjithashtu se, ke qenë edhe dikur, kur ishe zv.kryeminister, “kollona e pestë” mes kabinetit qeveritar të Edi Ramës, dhe ke ditur të fshihesh mirë, deri ditën kur dole me pantallona të shkurtëra nga dogana shqiptare. Si mund të besojnë shqiptarët, tek njeriu që ka patur shumë poste, shumë pushtet, ( dhe ka sot shumë para) dhe mbi të gjitha shumë miqësi me kryeministrit Rama, kur thotë se “unë nuk isha dakort me “X”, me “Y”, me “Z”, dhe këto ja kam thënë edhe kryeministrit në sy”. Kaq “tuafër” i di ti shqiptarët, sa t ë besojnë se “mes atij grupi të korruptuarish, ti paske qenë më evlihaja, më i ndershmi, më korrekti, më i pastëri”. Arben, nga Helvetia, nuk shahet “mbreti”, sepse nuk të beson njeri, edhe sikur intervistën ta japësh në shtëpinë e Berishës. Ndaj, bëhu “burrë”, dhe trego se ke mbetur “tigër”, dhe eja në SPAK, dhe përplasja të gjitha “djaloshit Dumani” në sy. Askush nuk guxon të të bëjë keq ty, mos abuzo me fjalët e Berishës. Askush nuk ka ndërmend të merret me “atentate” ndaj teje, pasi në Shqipëri , falë Edi Ramës, “mbretëron” një drejtësi e re Arben, ndoshta njëlloj si atje në Helveti, ku ti, ke gjetur jetën e re, plot të mira materiale. Gjithsesi, le të presim edhe “intervistën e tretë” nga Helvetia, ndoshta do të na thuash të tjera “xhevahire”, apo tregime me personazhe realë, për “betejat e tua kur ishte zv.kryeministër për të penguar aferat korruptive”.