Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar këtë të mërkurë Gjergj Cukalin me 25 vite burg lidhur me ngjarjen e shpërthimit me eksploziv ndaj biznesmenit Gjon Mena në Kamëz, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Kujtojmë se Gjon Menës më 9 Shkurt iu vendos tritol në automjet në Kamëz ku pati vetëm dëme materiale. Ndërkohë i penduari i drejtësisë Enver Jamaku dënohet me 8 vite burg për futje sendesh në banesën e Edmond Saracit, kanosjes së avokatit Paulin Paplekaj dhe gjetjen të magazinuara të armëve luftarake në ambientet e Sokol Xhurës, si bashkëpunetor i të parëve në grup të strukturuar kriminal. Flor Abazi u dënua me 22 vjet, Blendi Deda 22 vjet, dhe Paris Prenga 21 vjet.
Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën për dosjen ndërsa çështja i kaloi për hetime, SPAK. Vëllezërit Jamaku, me statusin e dëshmitarit të drejtësisë kanë thënë se Cukali u ka premtuar dhënien e 30 mijë eurove, në këmbim që ai të vendoste tritolin në mjetin e biznesmenit Mena.
/A.R