Nga Bajram Peçi
Zhurma nuk prodhon asgjë. Mund të kakarisësh jo tek një, por te më shumë TV, jo njëherë, por dhjetra, e të mos provosh asgjë. Ndodh kjo, kur nuk ke gjë ndër duar! Nëse Arben Ahmetaj i akuzuar penalisht, i kërkuar nga drejtësia sepse i është shmangur asaj, do kishte në duar një armë (kupto: një provë) kundër Edi Ramës ose një tjetër socialisti, që sipas tij e kanë tradhtuar, do e kish bërë publike! Është i dyshuar të jetë fajtor, por duhet gjykata të japë cilësimin, është apo nuk është?
Në kushtet dhe pozitat ku ndodhet, nuk ka pse i mban provat ende për vehte (nëse ka)! Është momenti i duhur t’ja vejë në dispozicion organeve të drejtësisë, së pari, të ndihmojë vendin e tij, duke çuar para hetimit kryeministrin apo këdoqoftë; së dyti, të pastrojë veten nga akuza e rëndë e vjedhjes së pasurisë publike përmes shpërdorimit të detyrës. Është momenti Arben, ktheu dhe na ndihmo të bëjmë drejtësi, të ngremë shtet mbi kolona të forta institucionesh të sistemit të drejtësisë!
E çfarë kuptimi ka kur i di, por nuk i nxjerr e si bën publike vjedhjet, abuzimet, shpërdorimet e kryeministrit, keq përdorimet e dënueshme të pushtetit përmes vendimmarrjeve? Deri tani, në daljet publike te Syri TV, përpos se ke hamendësuar akuza, ke hedhur dyshime, ke spërkatur me copa balte ata që i mendon si armiqtë e tu, përfshi dhe SPAK-un, nuk ke denoncuar përmes ndonjë prove!? Me dyshime dhe hamendje nuk vret dot kënd, Arben!
Si shumica e shqiptarve, që dikur nuk kanë patur besim te drejtësia dhe institucionet e saj, edhe Ahmetaj mund të ketë të drejtë kur dyshon se institucioni kushtetues Drejtësi, një nga tre pushtetet i ngarkuar të zbatojë parimin “Barazia para ligjit”, nuk është i aftë ose përdoret politikisht!
Arben Ahmetaj nuk harron dhe ne të tjerët nuk ka pse të gënjejmë veten, duke u mbajtur si demokraci, për shkak të ligjeve të shkruara, por që në temperamentin e pushtetit mbajnë erë autokratizëm. Harruat ju se çfarë i bëri drejtësisë autokrati Sali Berisha?; se si e quajti kryeprokuroren lavire; se si nëpërkëmbi gjithë shtetin, duke urdhëruar mos zbatimin e urdhërarresteve për vrasësit e 21 janarit në bulevard, se si e quajti presidentin horr; se si urdhëroi shkatërrimin e serverave të KM, që mbanin provat filmike; se si u hodh poshtë eksperiza amerikane e një vidiokasete të Priftit (ndjesë se nuk është më mes nesh) dhe pranuan ekspertizën e një langoje të pushtetit.
Qershia në tortë, ajo që i vuri shkelmin në fyt drejtësisë, (jua ndërmendim edhe njëherë) ishte ajo shishja e verës. Barazia para ligjit varet nga mjedisi moral. Shishja e verës që Sali Berisha mbante në duar, duke shkuar ”për darkë” në shtëpinë e Ilir Metës, në prag të gjykimit të nesërmen, ndonëse e Drejta Kushtetuese, vë në dukje se efektiviteti i sistemit demokratik dhe garancia e lirisë lidhen me ndarjen strikt dhe të barazpeshuar të pushteteve brënda shtetit, nuk parashikohet. Pushtetet, thotë e drejta kushtetuese, duhet të jenë të organizuara në atë mënyrë që njëri të mund të frenojë fuqinë e tjetrit, por nuk parashikon si shishen e verës ashtu dhe avujt e dehjes nga pushteti.
Rrugëtimi i shkurtër i ish kryeministrit, qëllimisht i bërë publik për mediat, ishte për të shprehur qartazi vullnetin e tij se Ilir Meta nuk duhet dënuar. Besoj, i nderuar lexues dhe ju Arben Ahmetaj, se si në konferencën e ”shtypit”, mes të tjerash, Saliu ”gjeti kohën” të fliste edhe për cilësinë e lartë të verërave të pira në darkat me njeriun, që frika tani i shtrëngon të bëhen ortakë. Do të donte t’u tregonte mediave atë grykën e shishes, si mesazh për drejtësinë, si për ta poshtëruar atë, se shishen do ua fusë në prapanicë, nëse nuk shpallin vendimin “I pa fajshëm, nuk ka prova!”.
Ky ka qënë momenti kulmor i rrëzimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, punonjësit e së cilës, siç po provon tashmë Vettingu, kanë qenë në shumicë të motivuar për pasurimin, mundësisht të shpejtë, që e përdorën vendimmarrjen në dobi jo të drejtësisë, por të horrllikut.
Zbatimi i parimit “Barazia para ligjit” varet nga struktura e shoqërisë. Në mbi 30 vjet nga “starti i barabartë në nisje”, hendeku mes të pasurve e të varfërve vazhdon thellohet. Sa më i varfër të jetë një shtet e një popull, aq më i korruptuar është sistemi i drejtësisë. Nga ana tjetër, korrupsioni është e do mbetet një bashkëudhëtar i sistemit kapitalist, çka na detyron që të kemi një sistem drejtësie të besueshëm. I ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, z. Wisner. këto ditë theksoi në dieni të opinionit se, “Ka presion politik, por reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe afatgjatë”.
Asnjë vend që ka respekt për veten, nuk lejon që drejtësia të rikthehet në rrënimin e kohës së Sali Berishës! Ne shpresojmë tek ju Arben Ahmetaj se do nxirrni provat e do i jepni drejtësisë dritë për të parë se deri në ç’llum është zhytur administrata e lartë shtetërore. Bëjeni këtë dhe do ju jemi mirënjohës. Ju presim!