Nga Ylli Pata
Tashmë po bëhet telenovelë rrëfimet e përzgjedhura nga Arben Ahmetaj për një media që ka një afilacion thuajse të betonuar me Sali Berishën.
Por natyrisht kjo është pjesa më e vogël e kësaj telenovele, e cila dukshëm është më shumë se kaq. Pasi përbën një debat që vijon sa herë personazhi që sot ndodhet jashtë vendit për të mos u përballur me drejtësinë flet në mediat e opozitës.
Edhe? Po shumë mirë që flet aty, rëndësi ka që flet! Është rezonantja e krititikëve ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Në fakt, është e vërtetë. Kur dikush flet, rëndësi ka ajo çfarë thotë, përpara se ku edhe se si.
Por këtu jemi në një situatë pak më ndryshe. Pasi Ahmetaj, nuk ka zgjedhur që të përballet me drejtësinë, ka çarë ferrën, sepse siç thotë e ndjen veten të kërcënuar, të sulmuar, të rrezikuar. E për këtë ka kërkuar strehim politik nga Konfederata e Zvicrës.
Asgjë e re në historinë shqiptare. Mjaft qeveritarë apo edhe drejtues politikë e kanë bërë këtë ndër vite. Por që në rastin aktual ka një gjë krejt ndryshe. Sepse subjekti për të cilën flasim është një i pandehur, i cili të gjitha këto që flet mund t’i bëjë të vlefshme zyrtarisht, duke i shkruar apo deponuar në një procesverbal zyrtar, e më e mira e të mirave në një proces gjyqësor. Ku mund të kthehet si heroi i romanit ”Nëna” të Maksim Gorkit, nga i akuzuar në akuzues.
Por ta lëmë telenovelën tonë, për të parë pak si ndodh në rastet kur personazhe të tillë, të rrethuar me dritëhije të ndryshme, bëhen protagonistë të rrëfimeve të fuqishme që më pas kthehen në bazë për procese penale.
Bota njeh të penduar, njerëz që kanë qenë të hurit e të litarit, që kanë vrarë, kanë prerë, kanë abuzuar me fonde publike, por në fund, të zënë me presh në duar, kanë pranuar që të rrëfejnë të vërtetat e tyre para një gjykate, duke pranuar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Nuk është vetëm Tomasso Buschetta, modeli klasik i të penduarit klasik. Natyrisht ai u bë i famshëm, pasi i vetëm drejti gishtin mbi kupolën e Cosa Nostra-s dhe i numëroi një nga një të gjithë krimet e tyre. E bëri këtë për tu hakmarrë ndaj krimet që pezzo novantat kishin kryer ndaj njerëzve dhe familjarëve të tij. Në fund, vdiq i lirë, pasi kishte kryer dënimin e ulur si pasojë e bashkëpunimit.
Ka shumë sot, shumë fare njerëz që marrin përsipër që të dënohen për atë që akuzohen, natyrisht duke pasur uljen ligjore si pasojë e bashkëpunimit. Sepse kështu është shkruar edhe në ligjin shqiptar.
E sa për ta zgjeruar diapazonin e logjistikës proceduriale, një bashkëpunëtor i drejtësisë sot nuk flet vetëm duke ardhur në Tiranë, por edhe duke pranuar që një prokuror apo hetues të shkojë aty ku ai qëndron, apo duke folur për një prokuror të vendit ku qëndron, me marrëveshje që ky deponim është vlerë ligjore për deponimin në Shqipëri.
Ndërkaq, në gjykatë mund të mos flasë direkt, por online, duke përdorur teknologjitë e kohës. Pra mundësitë që një i hetuar apo i akuzuar të flasë me drejtësinë apo për drejtësinë janë aq të pafundme sa rrugët e Zotit.
E në këtë rast, kjo telenovelë që regjizori zgjedh pjesët sipas kontekstit të kohës, është më shumë një reality show se një konfesion real, një dëshmi e vërtetë.
Gjithsesi edhe kjo është zgjedhje, por një zgjedhje që do të ndajë opinionin siç e ka ndarë, njëra anë do ta anatemojë pse flet te media e Berishës, e pala tjetër do ta mbrojë siç e ka mbrojtur që në momentin që ka vendosur të hapë telenovelën.
Po e vërteta? Natyrisht secili ka të tijën, por nëse është shkruar në një procesverbal prokurori apo seancë gjykate, atëherë ajo do të ishte akt sovran, ndryshe nga një reality show me regji…