Kuvendi i kërkon Autoritetit të Konkurrencës që veç tregjeve të frutave dhe perimeve të monitorojë dhe hetojë edhe ndërmarrjet në sektorin e turizmit e shërbimet bankare digjitale.
Gjithashtu në rezolutën për vitin 2024, me rekomandime për Autoritetin e Konkurrencës, Kuvendi kërkon vënien në mbikëqyrje edhe të spitaleve private dhe tregut të çimentos.
“Të fillojë puna për hartimin e një dokumenti strategjik afatgjatë “Politika e Konkurrencës” për monitorimin e tregjeve kryesore dhe të një plani veprimi me indikatorë të qartë e të matshëm. Të rritet transparenca dhe llogaridhënia në veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës përmes publikimit të raporteve periodike, analizave të detajuara, statistikave të përditësuara në formate miqësore për publikun, njoftimeve të qarta dhe vendimeve të mirargumentuara.”
Në rezolutën e publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare Kuvendi këshillon “Konkurrencën: edhe mbi rrugën që duhet të ndjekë për të pasur më shumë rezultate.
“Të rritet bashkëpunimi ndërinstitucional me në fokus Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Komisionin e Prokurimit Publik për të siguruar përmbushjen e rekomandimeve të dhëna dhe për të adresuar çështjet e konkurrencës në mënyrë më efektive. Të reflektohet gjendja e zbatimit të rekomandimeve në Platformën Ndërinstitucionale Online.”
Pas raportimeve të shumta në media, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të hënën se kishte hapur një hetim paraprak për tregjet me shumicë të frutave dhe perimeve në pesë qarqe, Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë./ TEMA