Kolegji i Posaçëm i Apelimit këtë të martë ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Iliba Bezati.
Ajo është një nga tre anëtaret e trupës gjykuese që në Apel vendosi t’i kalojë Sali Berishës vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga gjyqtarët Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Natasha Mulaj, Albana Shtylla anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 29/2021, datë 28.05.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Iliba Bezati. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 352, datë 01.03.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe që i përket subjektit të rivlerësimit Iliba Bezati.”
Bezati kaloi me sukses vetting-un dhe u konfirmua në detyrë më 1 mars 2021, pasi u rrëzuan dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën.
KPK vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.
Por, Komisioneri Publik vlerësoi se konkluzionet nuk bazoheshin në një hetim të plotë ndaj iu kërkua Kolegjit që të vlerësojë ligjshmërinë e dhurimeve që kanë shërbyer për krijimin e pasurive, si dhe të vendoste në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK për Bezatin.