E PERDITESUAR
Deputetët e mazhorancës në komisionin parlamentar të ligjeve kanë rrëzuar kërkesën e opozitës për të ndryshuar ligjin e komisioneve hetimore. Ky projektligj është edhe një nga tre kushtet që PD ka vendosur për të ndërprerë marrdhënien e kushtëzuar me Kuvendin.
Kërkesa e PD-së për ndryshimet në ligjin ‘për funksionimin e komisioneve hetimore’, synojnë heqjen e mundësisë së bllokimit të punës së komisioneve nga mazhoranca.
Ndërsa ndryshimet në ligjin ‘për dekriminalizimin’, lidhen me rastet kur deputetët, të cilët arrestohen në flagrancë të pezullohen nga aktiviteti i parlamentit, deri në dhënien e një vendimi nga gjykata. Nisma ligjore u nxit nga rikthimi në Kuvend në muajin shkurt, i deputetit socialist Armando Prenga, i përfshirë në një konflikt të armatosur në shtator te vitit te kaluar. Kushti tjetër i vendosur nga PD-ja lidhet me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet e shqyrtimit te vlefshmërisë së mandateve të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, që akuzohen nga PD se kanë përfituar fonde publike, duke shfrytëzuar postin e tyre si deputetë të Kuvendit.
KOMISIONI
PD thyen bojkotin në komisionet parlamentare
PD-ja është rikthyer në punimet e komisioneve parlamentare, pas një bojkoti disa javor. Deputetët e PD-së janë sot të pranishëm në komisionin parlamentar të ligjeve, ku pritet të diskutohen dy projektligje të saj që kanë të bëjnë me “Dekriminalizimin” dhe “Komisionet Hetimore Parlamentare”. Në këtë mbledhje është i pranishëm edhe deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, i cili pak ditë më parë në shkelje flagrante të ligjit doli në protestën e PD-së i armatosur me pistoletë.
Që në fillim të mbledhjes deputeti i PD-së, Eduard Halimi, ka shtuar edhe një kusht tjetër atë që, sipas tij, ka të bëjë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “U kthyem në komision për dy nismat e PD-së. Në rendin e ditës janë 2 kushtet e opozitës. Kushti i tretë është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuse”, ka deklaruar Halimi.
Projektligjet e paraqitura nga PD-ja, në thelb, janë mjaft problematike nga pikpamja kushtetuese dhe ligjore, pasi njëri ai që ka të bëjë me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Dekriminalizimin” cënon prezumimin e pafajsis, një e drejtë kushtetuese kjo, dhe nga ana tjetër propozimet për funksionimin e “Komisioneve Hetimore Parlamentare”, institucionalizojnë vullnetin e pakicës mbi shumicën. Është e paqartë se si do të gjendet një formulë komnpromisi mes palëve po të kemi parasysh problematikën e këtyre dy propozimeve.
(javanews.al)