Me 106 vota pro dhe 2 kundër deputetët në Kuvend votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u dakordësua mes PS dhe PD.
Mazhoranca dhe opozita u dakordësuan për draftin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Sipas propozimit, në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë edhe qytetarët me banim jashtë vendit.
Në ndryshimet e Kodit Zgjedhor thuhet se listat e partive do të jetë e mbyllur dhe gara do të jetë vetëm për ato pak vende, ku kandidatët nuk e kanë të sigurt që do të jenë brenda listës fituese.
Konkretisht, secila parti politike do të ketë dy lista në çdo qark, ku një listë e zgjedh kryetari dhe që nuk ndryshohet pasi kandidatët e asaj liste nuk futen fare në garë dhe një listë kandidatësh që do t’i përzgjedhin zgjedhësit. E përkthyer në shifra, me një përllogaritje të thjeshtë, diçka më shumë se 100 deputetë do të jenë të përcaktuar nga kryetarët dhe nuk ndryshohen, ndërkohë që më pak se 40 vende do të përzgjidhen nga zgjedhësit.
Qarku që do të ketë më shumë vende të lira, për shkak të numrit të madh të mandateve që çdo në Parlament është Tirana, ku PD dhe PS do të kenë të sigurt pa nisur zgjedhjet, nga 12 mandate secila. Ky qark çon në Kuvend 36 deputetë, por po të kemi parasysh që mund të marrin mandate edhe PSD dhe PL, numri i deputetëve që zgjidhen nga zgjedhësit do të jetë jo më shumë se 10, që do të thotë se vetëm 27% e listës është e hapur. Ndërkohë që në qarqe si Dibra dhe Kukësi, gara do të jetë vetëm për një mandat nga 3 që çojnë në Kuvend.