Zhdoganimi i mallrave të akcizës ka regjistruar rekorde në periudhën janar-qershor, për të paktën 3 vitet e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tregun shqiptar kanë hyrë më shumë karburante, cigare, kafe dhe birrë.
Zëri që mban peshën më të madhe ndër mallrat e akzicës është ai i karburanteve, që gjatë gjysmës së parë të këtij viti ka arritur nivelin maksimal, pavarësisht çmimeve të larta. Niveli më i lartë i zhdoganimit ka qenë në muajin maj me 56,601 ton
Cigaret kanë shënuar një rritje të lartë të importeve, duke arritur në 1,451 ton në fund të këtij 6-mujori. Ndonëse për këtë produkt çmimet njohin rritje pothuajse nga viti në vit, kërkesa në treg mbetet e lartë. Për duhanin aplikohet një kalendar i caktuar për rritjen progresive të akcizës deri në vitin 2026 që parashikon rritje mesatarisht 250 lekë për kg çdo vit. Ndërkohë, nga 1 janari 2024 kjo rritje u reflektua edhe në çmimin final të shitjes me rreth 20-30 lekë. Muaji qershor ka shënuar rekordin e zhdoganimeve për cigaret me 303 ton.
Pothuajse të njëjtën ecuri si dy produktet e mësipërme ka regjistruar edhe importi i kafesë. Për këtë produkt, muaji maj ka shënuar rekordin e zhdoganimeve me 1,177 ton.
Përsa i përket birrës, zhdoganimet për këtë produkt janë në nivelet më të larta të viteve të fundit dhe qershori ka shënuar vlerën më të madhe të importit. Dyfishimi i akcizës së birrës në 710 lekë për hektolitër nga 1 janari 2023 duket se ka favorizuar më shumë importin dhe ka filluar të japë efekte negative për fabrikat e birrës në vend, të cilat u detyruan të rrisnin çmimin e produktit final. Për shkak të çmimit të lartë nga kostove të shtrenjtuara, birra shqiptare po humbet konkurrueshmërinë, ndërsa sasia e blerë nga jashtë po rritet me ritme të larta.