Maturantët duke nisur nga java tjetër do aplikojnë në portalin u-Albania për degët që dëshirojnë të nisin studimet universitare. Rektori i Universitetit të Bujqësisë, Fatbardh Sallaku i ftuar në Report Tv prezantoi ofertën e këtij universiteti. Sallaku u ndal tek bursa që marrin studentët nëse zgjedhin degët prioritare, si Agronomi, Mbrojtje Bimësh, Inxhinieri Pyjesh etj.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Sallaku tha se fondi është akorduar nga Ministria e Arsimit edhe për vitin e ri akademik dhe studentët që zgjedhin degët prioriatre do të përfitojnë bursë 40 mijë lekë të reja, sa paga minimale.
“MAS ka akorduar një fond i barabartë me vlerën e pagës minimale në Shqipëri, 40 mijë lekë të reja për të rinjtë që zgjidhnin të studionin në disa degë prioritare. Bujqësori ka qenë një ndër përfituesit kryesor. Të gjithë të rinjtë që kanë studiuar agronomi, zooteknik, mbrojtje bimësh, inxhinieri përpunimi apo pyjesh kanë përfituar mbështetje financiere në muaj prej 40 mijë lekë të reja. Për këtë vit të ri akademik, qeveria ka miratuar këtë fond, ku do ketë numër të caktuar kuotash”, tha Sallaku.Përpos bursës për degët prioritare, Sallaku tha se Universiteti Bujqësor vjen me një ofertë serioze, pasi duke nisur që nga muaji tetor studentët do të përfitojnë nga bashkëpunimi me universitetin Boku në Vjenë. Synimi final i kësaj marrëveshje, Sallaku tha është që studentët të marrin dy diploma nga të dy universitetet.
“Momenti që janë të rinjtë sot, javës tjetër nis aplikimi në portal. Është moshë që duhet të marrin vendime të mëdha. Para se të aplikojë, një maturant duhet të mendojë për vlerën e diplomës që merr. Është një universitet që këtë vit akademik vjen me një ofertë nga më seriozet. Në shtator krahas mbështetjes financiare nga qeveria shqiptare, të rinjtë që do regjistrohen këtë vit akademik, do jenë përfitues të projektit strategjik që po implementojmë me universitetin e Vjenës, BOKU. Ky brez, do ta konsideroja me fat, përveç mbështetjes financiare, stafit akademik, i vetmi universitet që ka kampus, do jenë përfitues të një projekti ku në finale synon që këto studentët do marrin dy diploma, një të Bujqësorit dhe një nga universiteti i Baku-së. Kjo është një nga oferta më serioze cilësore që u ofrojmë maturantëve. E gjithë kjo në fund, është se në finale kur çdo i ri aplikon për të studiuar, finalja është ku do punësohet dhe sa shpejt”, u shpreh Sallaku në Report Tv.
Rektori i Bujqësorit theksoi se 95% e të rinjve që përfundojnë studimet në këtë universitet integrohen në tregun e punës brenda vitit të parë të diplomimit.
“95% gjejnë punë brenda vitit të parë të diplomimit, në degë si agronomi, zooteknik, peshkimi, hortikultura, pylltaria, inxhinieri e mjedisit, mjekësia veterinare. Duke nisur nga viti tjetër akademik, leksionet dhe seminaret do zhvillohen nga dy profesorë, i Bujqësorit dhe Boku”, tha Sallaku.