Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Ukrainës shkëmbyen të mërkurën mendime mbi krizën në Ukrainë gjatë një takimi mes tyre në Guangzhou të Kinës Jugore.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi theksoi se Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për promovimin e një zgjidhjeje politike të krizës.
Duke vënë në dukje se kriza e Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë, Wang shtoi se ekzistojnë rreziqe për përshkallëzimin dhe përhapjen e konfliktit.
Pala kineze beson se të gjitha konfliktet duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave dhe të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me anë të mjeteve politike, tha ai.
Wang vuri në dukje më tej se Rusia dhe Ukraina së fundmi, në mënyra të ndryshme, kanë treguar gatishmëri për negociata.
“Edhe pse kushtet e momenti nuk janë ende të përshtatshme, ne mbështesim të gjitha përpjekjet që janë të dobishme për paqen dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të luajmë një rol konstruktiv në sigurimin e një armëpushimi, promovimin e përfundimit të armiqësive dhe rifillimin e bisedimeve të paqes,” theksoi ai.
Kina është e shqetësuar për situatën humanitare në Ukrainë e do të vijojë të ofrojë ndihmë materiale humanitare, shtoi Wang.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Ukraina u kushton rëndësi rëndësi të madhe opinioneve të palës kineze dhe ka studiuar me kujdes konsensusin prej gjashtë pikash të propozuar nga Kina e Brazili për zgjidhjen politike të krizës.
Sipas tij, pala ukrainase është e gatshme të angazhohet në dialog e negociata me palën ruse.
“Sigurisht, negociatat duhet të jenë të arsyeshme e thelbësore, për arritjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme,” theksoi kreu i diplomacisë së Ukrainës, i cili ndodhet për një vizitë katërditore në Kinë që filloi të martën.