Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka deklaruar në një intervistë për Euroneës Albania se policia shqiptare po bashkëpunon me autoritetet e Dubait për ekstradimin e një personi të përfshirë në krimin e organizuar.
Pra një lloj lufte, që në arsyetimin e tij bëhet kundër atyre që janë konceptuar “të paprekshmit”, referuar anëtarëve të bandave kriminale të strehuar në Dubai.
“Të gjithë ata që kanë kryer çdo lloj krimi dhe që mendojnë se janë të pakapshëm duhet të dinë se autoritetet e Dubait nuk pranojnë të strehojnë persona të cilët i fshihen drejtësisë. Ne kemi një rast konkret ku po komunikojmë me autoritetet atje dhe po mbledhim të dhëna, dosja është depozituar.” –tha ai.
Nëpërmjet fjalës së tij, ministri Balla dha një mesazh kundrejt personave që fshihen në Dubai, ku deklaroi se për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë duhet që këta persona të dalin përpara drejtësisë.
“Ka disa mënyra për t’i vendosur para drejtësisë, edhe pa pasur një marrëveshje ekstradimi. Mjafton përmes një procesi deportimi, duke na vënë në dispozicion informacionet përkatëse për këta persona.” –përfundoi ai.