Nga Blendi Kajsiu
Reagimi i deputetëve ndaj raportit të paraqitur në Kuvend nga kreu i SPAK, Altin Dumani tregoi se SPAK dhe kreu i tij po transformohen gjithnjë e më shumë në opozitën e vërtetë të pushtetit politik në Shqipëri, qoftë në qeveri, qoftë në opozitë. Lehtësia me të cilën socialistët ia nxorrën në pritë Dumanin demokratëve, dhe ethet e këtyre të fundit për ta linçuar publikisht, treguan se të dyja palët tashmë e shohin Dumanin dhe institucionin që ai drejton si kërcënimin e vërtetë me të cilin përballen.
Goditjet që SPAK i ka dhënë pushtetit socialist si në qeveri edhe në Bashkinë e Tiranës janë shumë më të rënda se denoncimet apo protestat e vetmuara të berishistëve. Mjafton të krahasosh tronditjen politike që i shkaktoi SPAK, Erjon Veliajt me arrestimet e drejtortëve bashkiakë me protestat mjerane të berishizmit që jo vetëm nuk e cënonin imazhin e Veliajt, por i jepnin atij frymarrje politike si një kryebashkiak qytetar përballë vandalëve zjarrvënës. Goditja e SPAK ndriçoi korrupsionin e thellë në bashki, duke zbehur ndriçimin e yllit politik të Veliajt. Ndërkohë protesta berishiste përballë bashkisë thjesht i dha mundësi yllit politik të Veliajt të ndriconte sërish brenda territ që krijoi tymnaja berishiste.
Ashtu sikurse arrestimi i bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit, si Arben Ahmetaj, e ka nxirë qeverisjen Rama shumë më tepër se të gjitha denoncimiet e berishistëve të marra së bashku. Kjo për faktin e thjeshtë sepse kredibiliteti i berishizmit në denoncimine korrupsionit është inegzistent, jashtë rradhëve të berishistëve. Ndërkohë që kredibiliteti i SPAK është tejet i lartë, sidomos në një vend si Shqipëria, ku mosbesimi dhe pesimizmi janë në nivele marramendëse.
Natyrisht sulmet e berishistëve në kuvend ndaj Dumanit dhe SPAK nuk shpjegohen thjesht sepse këta të fundit, pa dashje, po uzurpojnë funksionin e opozitës politike dhe sociale që berishistët nuk e kryejnë dot. Shumica e denoncuesve berishist bërtisnin që ti dëgjonte Berisha. Ndërkohë Berisha i bërtet Dumanit dhe SPAK-ut në mënyrë që të trembë gjykatën.
E megjithatë urrejtja ndaj Dumanit dhe SPAK nuk mund të kuptohet thjesht me akuzën që ata kanë ngritur ndaj Berishës. Në fund të fundit, Dumani është prokuror, ai nuk vendos nëse Berisha arrestohet ose jo, por thjesht formulon akuzën. Është gjykata ajo që vendos nëse Berisha arrestohet, burgoset apo lirohet. Ndaj me llogjikë, sulmet e Berishës duhet të përqendroheshin më tepër tek gjykata dhe jo tek SPAK, që tashmë akuzën e ka formuluar.
Të kuptohemi, nuk po e akuzoj Berishën se nuk ka demonizuar mjaftueshëm gjykatat. Në fakt është vështirë të gjesh ndonjë person në Shqipëri që i ka dalë përpara Berishës, qoftë edhe rastësisht, dhe nuk është demonizuar prej tij. Një pjesë e mirë e atyre që mbështesin Berishën sot, janë linçuar publikisht prej tij dje. Ndaj nuk diskutohet që Berisha dhe berishistët kanë denoncuar, sulmuar dhe anatemuar jo vetëm Dumanin por edhe gjykatësen, Irena Gjoka që ka shqyrtuar çështjen e tij. Ama demonizimi ndaj Dumanit është shumë më i madh dhe krejtësisht në shproporcion me peshën juridike që ka prokuroria në marrjen e një vendimi ligjor të formës së prerë.
E thënë ndryshe sulmi ndaj Dumanit ka një llogjikë thellësisht politike, përtej arrestimit të Berishës. Dumani si person, dhe SPAK si institucion, përbëjnë një rrezik ekzistencial për Berishën sepse në mënyrë jo të vullnetëshme po uzurpojnë funksionin opozitar që Berisha dhe Meta nuk e kryejnë dot, sidomos përsa i përket luftës anti-korrupsion. Dhe Berisha me intuitën e tij të mprehtë politike e kupton rrezikun që Dumani përfaqëson jo thjesht si prokuror, por si një figurë publike popullore, jashtë kontrollit berishist.
Popullariteti i SPAK dhe i Altin Dumanit, shpresa anti-korrupsion që ata kanë krijuar në një popullatë të zhgënjyer nga klasa politike, do të thotë që Dumani mund të transformohet në një Antonio Di Pietro shqiptar. Duhet të kujtojmë që fushata Mani Pulite e Antonio di Pietros në Itali në fillim të viteve 1990 rrëzoi të gjithë klasën e vjetër politike Italiane. Dhe përsa i përket vjetërsisë berishizmi mban rekordin në Shqipëri, ndërsa pushteti socialist po vjetërohet me shpejtësi.
Natyrisht që është e vështirë që diçka identike të përsëritet në Shqipëri pasi binomi PS-PD kontrollon pothuajse të gjitha hapësirat mediatike, ekonomike dhe publike në vend. Ama duhet të pranojmë se SPAK dhe Dumani janë figurat dhe institucionet publike më të vlerësuara nga qytetarët shqiptar. Dumani është, sot për sot, prokurori anti-korrupsion më i suksesshëm që ka pasur Shqipëria në të gjithë ekzistencën e saj si shtet.
Pikërisht për këtë arësye ai është i rrezikshëm si për pushtetin socialist edhe për opozitën berishiste, pasi nuk kontrollohet nga asnjëra prej tyre. Edhe pse e kanë akuzuar si zar të Ramës e vërteta është se Dumani u zgjodh në krye të SPAK kundër dëshirës së Ramës dhe si pasojë e presionit ndërkombëtar. Askush nuk e ka njollosur pushtetin socialist më shumë se SPAK dhe Dumani. Ndaj askush nuk i rrezikon socialistët dhe opozitën berishiste më shumë se ai.
Kjo është arsyeja se përse armiku kryesor i Berishës sot është Dumani. Thirrjet e militantëve të PD-së ndaj qytetarëve që të zgjedhin nëse janë me Berishën apo Dumanin nuk janë lajthitje por shfaqje reale të nën-ndërgjegjes së tyre politike. Ata e kuptojnë se SPAK dhe Dumani po e eklipsojnë Berishën, jo thjesht duke e akuzuar por mbi të gjitha duke kryer një opozitarizëm shumë më efektiv ndaj pushtetit socialist se vetë berishizmi apo Ilir Meta.
Përmasa opozitare e Dumanit shfaqet tek akuza themelore që berishistët i bëjnë atij dhe SPAK-ut se nuk po arreston Ramën dhe Veliajn. Sipas llogjikës Berishiste, SPAK duhet të arrestojë fillimisht Ramën. Më pas kur ky të zëvendësohet nga Veliaj duhet të arrestojë edhe Veliajn, dhe kur Veliaj të zëvendësohet nga Balluku ata do kërkojnë arrestimin e kësaj të fundit. Pra SPAK duhet çojë PS-në në opozitë duke futur në burg gjithë lidershipin e saj. E thënë ndryshe, berishistët projektojnë tek SPAK pafuqinë e tyre për të çuar PS-në në opozitë.
Në subkoshiencën e tyre politike berishistët e kutpojnë se SPAK në përgjithësi dhe Dumani në veçanti përbëjnë rrezik ekzistencial për berishizmin që tashmë është impotent në luftën anti-korrupsion. Këtë fakt të thjeshtë Berisha e ka kuptuar prej kohësh ndaj Dumani është transformuar në armikun e tij politik kryesor, si i vetmi aktor dhe institucion publik që mund ti heq berishizmit asetin e tij politik më të vyer; monopolin e opozitarizmit. Ndaj me të njëtën forcë që sulmonte Bashënm, sapo doli nga kontrolli i Berishës, sot berishizmi sulmon Dumanin dhe SPAK-un sepse po zhvillojnë opozitarizmin më të suksesshëm ndaj pushtetit socialist, jashtë kontrollit berishist.