Ish-kreu i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të bëra sot nga Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, sa i përket çështjes së “21 Janarit”.
Në reagimin e tij Basha shkruan se mashtrimet ordinere të Ilir Metës nuk mund të fshehin të vërtetën.
Sipas tij të gjithë e dinë që Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë.
Postimi i Bashës:
Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund.
Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.
Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj.
Kujtojmë që Ilir Meta më herët gjatë një konference për gazetarët theksoi se Lulzim Basha është fajtor për 21 janarin, pasi ai e dinte se çfarë do të ndodhte.
“SPAK organizatë kriminale që drejtohet nga Dum Dumani. Pas dështimit ku përfaqësues të opozitës e disketituan dhe ku ai botërisht deklaroi se krimi i inceneratorëve ishte intelektual e nuk ishte i lehtë të hetohej, kur gjithë shqiptarët e dinë që është grabitje pa maska në sytë e të gjithë botës… Drejtësia me regji hap 21 Janarin dhe gjen ditën sot për të ndaluar diskretitimin e Dum Dumanit seancën e kaluar në Kuvend. SPAK kërkon të mbajë në presion liderin e PD dhe opozitën e vërtetë ndaj regjimit të narko-trafikantit Rama, sepse është e qartë që nëse ka përgjegjësi në 21 Janar, është e Lulzim Bashës, i cili është paralajmëruar për gjakderdhjen që pritej nga banditët e Ramës. E ka pasur të shkruar skenarin dhe nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e vrasjeve të shëmtuara që ndodhën në bulevard”, tha ai.