Kuvendi do të mbyllë punimet e sesionit veror, të enjten e 25 korrikut. Çështja më e nxehtë që pritet të diskutohet dhe të votohet në seancën përmbyllëse është propozimi i grupit të ekspertëve të opozitës të Reformës Zgjedhore përsa i përket votës së diasporës dhe herësit për të cilat palët kanë rënë dakord parimisht. Një propozim tjetër që vjen nga opozita është edhe lista mikse, për të cilën përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialogun, Damian Gjiknuri, deklaroi se duhet diskutuar nëse ky propozim përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
KONSENSUSI
Mazhoranca dhe opozita nuk mundën të bënin një reformë të vërtetë zgjedhore, duke përfshirë në ligjin elektoral dhe rekomandimet e OSBE-ODIR, por para dy ditësh, palët dhanë sinjalet se në seancën e fundit të këtij sesioni kanë gjetur dakordësinë për të adresuar 2 vendimet e Gjykatës Kushtetuese: atë që mundëson votën e emigrantëve, si dhe çështjen e herësit. Grupi i dialogut është rikthyer dhe kanë diskutuar lidhur me propozimet e depozituara nga opozita 2 ditë më parë.
Sa i takon çështjes së votës së emigrantëve kanë dakordësuar që të votojnë jo vetëm shqiptarët e diasporës, por edhe ata që për arsye punësimi, studimesh apo që janë pjesë e misioneve diplomatike e ushtarake jashtë vendit mjafton të kenë një adresë të vlefshme dhe të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Mund të jemi shumë afër realizimit të kësaj gjëje nga pikëpamja e rënies dakord përsa i përket projektligjit, pasi këtu kemi futur të gjithë kategoritë që për një arsye apo një tjetër jetojnë për një kohë të caktuar jashtë vendit”, – tha Gjiknuri.
Kurse demokrati Oerd Bylykbashi u shpreh: “Ajo që do të ecë përpara është pikërisht kjo, votimi nga jashtë jo vetëm i atyre që janë diaspora, por të gjithë shqiptarët të cilët kanë të drejtën kushtetuese për të votuar”. Tek çështja e listave të deputetëve, palët nuk janë krejtësisht në një mendje. “Opozita e refuzon propozimin e PS për një prag tjetër, i cili është thjeshtë më i ulët”, – deklaroi Bylykbshi.
Ndërsa socialisti Gjiknuri u shpreh: “Ata janë të gatshëm për një kompromis që i afrohet formulës kushtetuese, pra të një liste që është mikes”. Gjithsesi, si Gjiknuri, ashtu edhe Bylykbashi mendojnë se deri të mërkurën ekspertët do të adresojnë të dy çështjet dhe dokumenti mund të votohet në seancën plenare të 25 korrikut.