Me ftesë të Bashkimit Evropian, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri u nis të dielën drejt Vjenës për të marrë pjesë në takimin urgjent i thirrur nga BE, ku do të diskutohet në lidhje me njohjen reciproke mes dy shteteve, Kosovës e Serbisë, të çertifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura si ADR (the European Agreement concerning the International Carriage of Dangerous Goods by Road).
Në delegacionin e kryesuar nga ministrja Tahiri është edhe Hykmete Bajrami, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë për Dialog, përpjekjet e BE-së për zgjidhjen e çështjes për njohjen reciproke të çertifikatave ADR janë në përkrahje të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për tregtinë e lirë mes dy shteteve të arritur në vitin 2011 dhe në pajtim me parimet e CEFTA-në.
Për këtë çështje është biseduar në Bruksel për rreth shtatë muaj me kërkesën dhe insistimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, konkretisht që kur Serbia bllokoi importet nga Kosova. Mirëpo, Serbia nuk tregoi gatishmëri që përmes dialogut të Brukselit të arrihet marrëveshja për njohjen reciproke të çertifikatave të ADR-së, edhe pse më parë ishin arritur marrëveshje për njohjen reciproke të çertifikatave fitosanitare dhe të produkteve farmaceutike.
Në përgjigje të qëndrimit të Serbisë e cila vuri dhe bllokadën për importin nga Kosova në kundërshtim me CEFTA-në, qeveria e Kosovës mori vendim për masa reciprociteti për mosnjohjen e çertifikatave dhe ndaloi importin e mallrave të rrezikshme nga Serbia, vendim ky të cilin e mori Ministria për Tregti dhe Industri.
Qëndrimi i qeverisë së Kosovës do të mbetet i tillë deri në arritjen e marrëveshjes me ndërmjetësimin e BE-së për njohjen reciproke të çertifikatave të ADR-së.
Ministria për Dialog ka informuar rregullisht BE-në për këto zhvillime dhe ka argumentuar se sjellja e Serbisë është në kundërshtim me parimet evropiane për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, e që pasoi në thirrjen urgjente të këtij takimi.
Takimi i paraparë që të mbahet në Bruksel kësaj radhe do të mbahet në Vjenë, për shkak se Aeroporti i Brukselit ende nuk është hapur për qarkullim të lirë pas ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit.
ATSH