Më pak familje shqiptare kanë shkuar drejt dhënies fund të martesës përgjatë vitit të shkuar.
“Sipas të dhënave të siguruara nga Tv Klan, 6 700 çifte kanë kërkuar të divorcohen në vitin 2023, 860 më pak se një vit më parë, duke u përkthyer kështu në një rënie vjetore me 13%”, raporton gazetarja Dorina Halili.
Pavarësisht kërkesave të mbartura ndër vite, edhe numri i divorceve të përfunduara ka ardhur në rënie.
Sipas ministrisë së Drejtësisë vjet janë ndarë 5 641 çifte, 800 më pak se në vitin paraardhës.
Për sociologen Entela Binjaku në mesin e arsyeve të këtij trendi është edhe prirja e të rinjve drejt bashkëjetesës.
“Në radhë të parë është prirja më e ulët e të rinjve shqiptare për t’u martuar, lidhet me numrin e lartë të të rinjve që emigrojnë vazhdimisht, një arsye tjetër mendoj që kanë qenë shumë të larta divorcet në gjithë këto vite…”
Gratë janë ato që më së shumti kërkojnë të zgjidhin martesën.
“Gruaja shqiptare nga viti në vit duke e rritur statusin vetjak, i toleron më pak problemet në çift që vijnë si rezultat i veseve që ka bashkëshortit si bixhozi, alkooli, dhuna, substancat narkotike. Gjinia mashkullore i drejtohet gjykatës për divorc veçanërisht kur bëhet fjalë për tradhti dhe më pak për arsye të tjera”, thotë Binjaku.
“Tirana, Durrësi dhe Fieri janë qytetet me numrin më të lartë të divorceve për vitin 2023”, shton gazetarja Halili.
Sipas INSTAT shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak viteve të fundit, në harkun kohor të 5 viteve martesat kanë rënë me 23%.