Pas 13 vitesh në kërkim të drejtësisë, Rajmonda Nika do të shkelë të hënën në dyert e SPAK, për herë të parë me shpresën për të vënë drejtësinë në vend për humbjen e jetës së bashkëshortit të saj, Aleks Nika. Gruaja që insistoi deri në Gjykatën e Strasburgut për hetimin e 21 janarit nga SPAK si vrasje shtetërore, do të paraqitet para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit të hënën në orën 10:00 për kallëzimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-drejtuesit të gardës Ndrea Prendi. 2 orë pas saj, në mesditë, do të pyetet edhe Mark Nika.
Të afërmit e Aleks Nikës kanë pretenduar se kanë një kasetë ku jepet urdhri për vrasjet shtetërore të cilën do t’ia vënë në dispozicion SPAK-ut.
Gjithmonë, familja Nika insistuar se plumbat mbi turmën e protestuesve para kryeministrisë 21 janarin e vitit 2011, u lëshuan me urdhër të Berishës, e Bashës. Ky i fundit tha se nuk i ka dhënë urdhër gardës të qëllojë me plumba real ndaj protestuesve, por nuk tha asnjë fjalë për Berishën, duke paralajmëruar se gjithçka që ka dhe di, do t’i thotë para drejtësisë. Me heshtje e ka përcjellë edhe Sali Berisha këtë zhvillim të rëndësishëm të SPAK që do të verifikojë rolin e tij në krye të qeverisë së kohës për krimin e pazbardhur shtetëror të 21 janarit me vrasjen e 4 të pafajshmëve. Tashmë SPAK nuk do të hetojë më për vrasje nga pakujdesia siç prokuroria e Tiranës i cilësoi dhe gjykata i mbylli me dënime minimale.
Me dyshimin se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës, SPAK heton për 3 vepra të rënda penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.
E vënë në lëvizjes nga familjarët e lezhjanit, Aleks Nika, Gjykata e Strasburgut urdhëroi nxjerrjen e përgjegjësve të vërtetë, Gjykata e Lartë e lexoi qartë këtë vendim dhe detyroi SPAK të nisë hetimet për 21 janarin si krim të pazbardhur shtetëror, për të verifikuar rolin e drejtuesve të lartë shtetëror: Kush urdhëroi gardën të qëllojë me armë dhe kush i zhduku serverët me të gjitha filmimet e asaj dite?!/Shqiptarja.com