Edicioni i 8-të i Za Fest nisi mbrëmë në Shkodër, një festival i cili është krijuar e drejtohet nga kantautori Vlashent Sata dhe që mbështetet nga Delegacioni i BE-së në vendin tonë.
Festivali i cili do të zgjasë për tri netë resht, nisi brenda në Shkodër, në oborrin e banesës “Oso Kuka”, Monument Kulture, e njëkohësisht Muzeu Historik i Shkodrës, ku të pranishmit ndoqën festivalin pa pagesë. Në programin e natës së parë qenë Dom Gjergj Meta si dhe regjisori Gentian Koçi. Përveç muzikës, publiku ka mundur të ndjekë edhe filmin “A cup of coffee and new shoes on”, të Gentian Koçit, fitues i disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.
Bashkia Shkodër shpërndau online një album fotografik nga nata e parë e Za Fest dhe shkroi se, ishte një natë e mbushur me muzikë dhe emocion, ku artistë të talentuar dhuruan një atmosferë të jashtëzakonshme.
Më tej, Za Fest do të vijojë në Kalanë e Rozafës, për ku ofrohet transporti falas.
ZA Fest synon promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës. Më herët ky festival është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh. TemA