Për shkak të çështjes Beleri dhe mënyrës së arrestimit të tij 2 ditë para zgjedhjeve, qeveria greke i ka ftohur marrëdhëniet me qeverinë shqiptare. Por Vangjel Tavo beson se kjo nuk do të ndikojë negativisht në zgjedhjet e 4 Gushtit në Himarë, bashki ku jetojnë një numër i madh minoritarësh grekë ose shqiptarësh me shtetësi greke dhe dygjuhësia shqip-greqisht është shumë e përhapur.
“Një nga arsyet pse unë jam kandidat është dhe situata e krijuar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kandidatura nuk është për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, por për të zgjidhur problemet lokale që kanë kaluar kufijtë e bashkisë dhe kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Një nga keto është çështja e promave. Jam përzgjedhur për përvojën time të gjatë dhe të gjithë më njohin si njeriu që zgjidh probleme.”- tha zoti Tavo në emisionin “Pa Censurë”.
Kandidati i PS për Bashkinë e Himarës, me përkatësi etnike greke jep mesazhin se marrëdhëniet e tij me Athinën zyrtare janë të ndryshme nga ato të qeverisë. “Kam miq plot në Greqi, dhe politikanë, dhe qytetarë. Nuk kam patur ndonjë reagim as nga qeveria greke, as nga qytetarët grekë,. Përkundrazi. Kam patur shumë mesazhe inkurajuese. Deri më sot, nuk kam patur asnjë mesazh negativ, që të më frenonte. Absolutisht. Kam vetëm mesazhe inkurajuese nga pala greke. Këta janë edhe pjesë e maxhorancës greke. Kjo që flitet sikur vetëm njëra palë ka mbështetje, është një tymnajë që hidhet nga pala tjetër. Por e rëndësishme nuk është të thuhet se kush ka më shumë mbështetje, njëra palë apo tjetra. Ajo që është e rëndësishme është që ai që do të zgjidhet kryetar i Bashkisë së Himarës, të punojë për Himarën dhe himariotët. Jam nga ata që e kam treguar se kam punuar gjithmonë për njerëzit dhe do të vazhdoj ta bëj këtë edhe në Himarë.”- tha kandidati i PS për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.