Tre persona janë arrestuar nga Policia e Korçës për dhunë dhe kanosje në familje, raporton gazetarja Lorena Kodra për Balkanweb, referuar burimeve zyrtare nga Policia.
Dy prej të arrestuarve në episode të ndryshme, njëri ka dhunuar bashkëshorten dhe tjetri kunatën, ndërsa i 3-ti ka kanosur babain e tij, i cili ishte i pajisur me urdhër-mbrojtjeje.
Njoftimi zyrtar nga Policia
Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin Gj. K., 32 vjeç, banues në Korçë, pasi në bulevardin “Republika”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin, të cilin rezultoi se e drejtonte në gjendje të dehur.
Komisariati i Policisë Pogradec arrestoi në flagrancë shtetasin F. H., 41 vjeç, banues në fshatin Dardhas, Pogradec, pasi dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij.
Komisariati i Policisë Maliq arrestoi në flagrancë shtetasin D. R., 42 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka shkuar te banesa e prindërve të tij, dhe ka kanosur me fjalë babanë, i cili është i pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. I., 32 vjeç, banues në Babrru, Tiranë, pasi dyshohet se ka dhunuar kunatën e tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Komisariati i Policisë Korçë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
▪Ll. B., 69 vjeç, banues në Korçë, pasi me vetëgjyqësi ka ndërruar bravën e derës së një banese me bashkëpronar vëllanë e tij;
▪ M. B., 40 vjeçe, banuese në Prrenjas, pasi dyshohet se ka dhunuar vajzën e saj të mitur.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
▪ O. S., 32 vjeç, dhe L. I., 52 vjeç, banues në Pogradec, pasi në afërsi të fshatit Leshnicë, Pogradec, shtetasi O. S. u kap duke transportuar me mjetin tip kamion, 28 m sterë lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme, për llogari të subjektit në pronësi të 52-vjeçarit. Pas verifikimit të kryer, rezultoi se ky subjekt e ushtronte aktivitetin me dokumente të dyshuara të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, lënda drusore dhe dokumentacioni i subjektit;
▪ E. Ç., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapështicë, gjatë procedurës së regjistrimit, bashkë me pasaportën ka paraqitur një kartëmonedhë 20 euro, si dhe gjatë verifikimit në sistem rezultoi se kishte kaluar kufirin, në mënyrë të paligjshme.
–
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor, ju informojmë se filloi procedimi penal për shtetasin T. B., 20 vjeç, banues në Maliq, drejtuesi i motomjetit që u përplas me automjetin tip “Benz”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
SONDAZH