Nëna e Arben Brocit, Lije Broci, dhe mbesa e Besnik Cekës, Arba Kiço, që i përket një brezi tjetër, shprehin zhgënjim që ngjarja e 2 prillit nuk është zbardhur. Kërkojnë që e vërteta të dalë në shesh, shkruan Panorama.
“Shumë e zhgënjyer jam. Patjetër që jemi të zhgënjyer. Me sa duket, kurrë s’ka për të dalë e vërteta. Po do të kisha dashur që t’i dija autorët e vrasjes së djalit tim. Të dalë e vërteta, përse të më mbesë pishman kjo punë, pse të dëgjojmë fjalët e të tjerëve, jo e vrau ky apo ai. Pse të mos dalë e vërteta dhe pse maskohet kështu. Ky është krimi më i madh që bëhet. Të dalë e vërteta sheshit dhe të dihet kush e bëri krimin”, thotë nëna e Arben Brocit, Lije Broci.
Mbesa e Besnik Cekës, Arba Kiço, thotë se ka zhgënjim edhe për ditët e sotme ku po tentohet t’u merret liria shqiptarëve. “Jam shumë e zhgënjyer jo vetëm për moszbardhjen, por edhe duke parë se kush na qeveris sot dhe duke pasur parasysh se daja im dha jetën për liri dhe sot po tentojnë të na marrin atë liri.
Besoj se më mirë që nuk e di se kush e vrau dajën tim, them për autorët e vërtetë. Do të kisha pasur një mllef në vete po t’i dija. Tashmë, edhe sikur të gjenden autorët e vrasjeve, sërish asgjë nuk vlen më”, shprehet mbesa e Besnik Cekës, një prej 4 të vrarëve me 2 prill.
Apeli për zbardhjen e vrasjes më 2 prill 1991 të 4 dëshmorëve të demokracisë, Arben Brocit, Besnik Cekës, Nazmi Kryeziut dhe Bujar Bishanakut është i përvitshëm, por ende vijon që të jetë e pazbardhur.
Panorama
Pyesni dhe do marni pergjigjje me pergjegjesi nga zoti Izet Haxhia okular i ketyre vrasjeve .