Ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, në një intervistë për mediat nga Lini në Pogradec, u shpreh se partitë politike duhet të punojnë së bashku për votën e diasporës.
Huber solli shembullin e Zvicrën, që zvicerianët që jetojnë jashtë vendit, kanë të drejtë të votojnë.
“Vendimi për votën e emigrantëve është një vendim që duhet marrë nga partitë politike së bashku. Unë mund të them vetëm që ne qytetarët zvicerian kemi të drejtë të votojmë edhe kur jetojmë jashtë dhe kuptoj që kjo është një çështje e rëndësishme për diasporën shqiptare qe është e shumtë. Ne punojmë gjithashtu në KQZ për t’i fuqizuar kapacitete. Por vendimi final për votën e emigrantëve dhe modalitetet duhet të merret nga institucionet shqiptare dhe partitë politike”.
Ambasadorja theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të lira.
“Zgjedhjet demokratike dhe transparente janë një element shumë i rëndësishëm i këtij aspekti. Ne punojmë me institucione te ndryshme në Shqipëri për te fuqizuar kapacitetet. Kemi një bashkëpunim afatgjatë më parlamentin, gjithashtu duam të forcojmë këshillat bashkiakë, si dhe kemi një bashkëpunim me KQZ. Pra qëllimi kryesor është që të fuqizojmë institucionet dhe ti bëjmë gati që të implementojmë proceset transparente”.