Konflikti për rrugën që të çon në HEC-in e ndërtuar në Vinjoll të Kurbinit përfundon me të shtëna arme, duke i marrë jetën një 50- vjeçari, shkruan sot Panorama.
Pak ditë pasi viktima Mark Ndreca ka bërë denoncimin në polici, se është kërcënuar me jetë nga shtetasi Tom Lala, ky i fundit e qëllon me armë duke i marrë jetën.
Ngjarja ndodhi në Gallatë të Kurbinit, rreth orës 15:00 në qendër të fshatit, ndërsa viktimë mbeti Mark Ndreca, i cili ishte shofer furgoni.
VRASJA
Nga hetimet e para është bërë e ditur se ai është qëlluar me pistoletë nga 69-vjeçari Tom Lala, nga fshati Malbardhë i Kurbinit.
Pasi kanë debatuar në qendër të fshatit, autori ka marrë armën në automjetin e tij, duke qëlluar dy herë në drejtim të 50-vjeçarit. Ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra në kokë dhe gjok, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Pasi ka kryer krimin, autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa dyshohet të jetë fshehur në pyllin përreth. Kanë qenë banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë në lidhje me ngjarjen, por distanca e largët e fshatit me qendrën e qytetit dhe terreni i thyer malor ka bërë që uniformat blu të mbërrijnë me vonesë, duke i dhënë mundësi autorit për t’u larguar.
Në lidhje me ngjarjen është ngritur menjëherë grupi hetimor, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe prokurori i rrethit.
“Me datë 02.04.2016, është njoftuar se rreth orës 15:00, në fshatin Gallatë, Kurbin, ka ndodhur një vrasje me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore, të cilat kanë konstatuar se është vrarë me armë zjarri shtetasi Mark Ndreca, 50 vjeç, banues në Gallatë. Grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasin Tom Lala, 69 vjeç. Shërbimet policore po zhvillojnë kërkimet për të bërë të mundur kapjen e tij. Vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e Policisë së Lezhës.
MOTIVI
Nga hetimet e para është bërë e ditur se konflikti midis autorit dhe viktimës ka ndodhur për çështje pronësie. Rruga drejt Hidrocentralit që është ndërtuar në Vinjoll të Kurbinit është bërë shkak për konfliktin e vazhdueshëm mes autorit dhe viktimës. Ky segment rrugor përshkonte një sipërfaqe toke që pretendohej nga viktima.
Sipas të dhënave, ai i kërkonte në mënyrë të vazhdueshme djalit të autorit para, si formë shpronësimi. Djali i Tom Lalës mësohet se ka qenë kontraktor i HEC-it e duke pretenduar pronësinë, Mark Ndreca i kërkonte atij lekët për rrugën që kalonte në tokën e tij. Por nga ana tjetër, djali i autorit të krimit të djeshëm ka refuzuar, duke pretenduar se bëhej fjalë për tokë shtetërore dhe jo me pronar.
Të afërm të Ndrecës thonë se atij i është bërë presion që të hiqte dorë nga kërkesa e tij për pronësinë e tokës, madje për këtë është kërcënuar edhe me jetë. Për këto arsye, viktima kishte bërë edhe një denoncim në polici, vetëm pak ditë më parë, por mesa duket çështja është neglizhuar nga ana e uniformave blu, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar këtë krim të rëndë.
Edhe gjatë ditës së shtunë, fillimisht autori dhe viktima janë grindur me njëri-tjetrin, konflikt që më pas ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy gëzhoja pistolete, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morgun e Laçit, ku do t’i nënshtrohet mjekësisë ligjore.
Panorama
merni informacionin e sakte perpara se te nxirni lajmin, nese se keni iden mos beni lajme, ngjarja eshte 360 grad ndryshe.