Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka rekomanduar disa masa parandaluese për punëtorët, kryesisht në sektorin e ndërtimit, si pasojë e të nxehtit ekstrem.
“Rritja e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të nxehtësisë përbëjnë një sfidë të madhe për Sigurinë dhe Shëndetin e punëtorëve, sidomos në sektorin e ndërtimit. Për të ndihmuar në mbrojtjen e punëtorëve dhe për të siguruar një ambient pune të sigurt dhe produktiv, ISHPSHSH rekomandon disa masa parandaluese të cilat përfshijnë:
▪︎Rritja e mbikëqyrjes së punëmarrësve nëpërmjet personit përgjegjës për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë si dhe forcimi i sistemeve të SSHP-së në subjektet përkatëse.
▪︎Riprogramimi i punës në natyrë në kohë më të freskëta të ditës dhe shmangia e punës në diell kur është në maksimum.
▪︎Sigurimi i pushimeve më të shpeshta për punëtorët dhe krijimi i “Cool Zone”.
▪︎Sigurimi i aksesit falas në ujë të pijshëm të freskët gjatë gjithë kohës së punës.
▪︎Inkurajimi i heqjes së pajisjeve mbrojtëse individuale gjatë pushimit për të parandaluar mbinxehjen.
▪︎Pajisje mbrojtëse të përshtatshme për temperaturat e nxehta si kapele të forta që nuk depërtojnë nxehtësinë dhe veshje që mbrojnë nga dielli.
▪︎Siguroni krem elastik ndaj diellit për punëtorët që janë të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit gjatë gjithë ditës.
Këto masa janë të rëndësishme për të siguruar që punëtorët të qëndrojnë të sigurt dhe të shëndetshëm gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme, duke minimizuar rrezikun e lodhjes, goditjes nga nxehtësia dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me stresin e nxehtësisë”, thuhet në njoftim.