TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Së bashku, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim për një mbrojtje eficente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike, thotë Raporti rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore, i cili u botua sot.
Përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Investimet në këtë kuadër do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, pasurive dhe rënies së prodhimtarisë, si dhe do të kontribuonin në rritje më të shpejtë ekonomike.
Për këtë rajon, përmbytjet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi dy milionë njerëz gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që ndikimet priten të përkeqësohen në kuadër të reshjeve më ekstreme që priten. Zjarret janë një tjetër kërcënim gjithnjë e më i madh. Në vitin 2021 janë regjistruar 1.500 syresh, me rritje prej 21% krahasuar me dhjetëvjeçarin e fundit. Thatësirat po ndikojnë negativisht prodhimin bujqësor, ndërsa valët e të nxehtit po rrisin ndotjen e ajrit, duke shkaktuar mijëra vdekje të parakohshme në Ballkanin Perëndimor çdo vit.
“Ndryshimet klimatike janë kërcënim i qartë ndaj zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, tha Xiaoqing Yu, drejtor Vendi i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Kostot e investimeve për përshtatje janë të konsiderueshme. Por, lajmi i mirë është që përfitimet e tyre janë edhe më të mëdha. Përgatitja për rreziqet klimatike na mundëson të shpëtojmë jetë, të mbrojmë komunitetet vendore, dhe të nxisim rritjen ekonomike”, shton ai.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1 dollar i investuar përkthehet në rreth 4 dollarë përfitime.
Raporti vlerëson se ndryshimet klimatike do të sjellin humbje të prodhimit.
“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do t’i nënshtrohen shkallëve të ndryshme të dëmeve. Për Shqipërinë, humbja në ekonomi përllogaritet rreth 15.7 % e PBB-së në vitin 2050 duke e llogaritur mbi PBB e atij viti nën trendin e rritjes”, citohet raporti. ATSH