Shpërthimi në derën e motrave Nikolli në Elbasan ku u lëndua një 29-vjeçar dhe u shkatërruan disa apartamente është një krim ende pa autor.
Por, Alda Nikolli është e bindur se pas këtij krimi fshihet Nuredin Dumani. Në një intervistë për Top Channel ajo tregon se me të penduarin e drejtësisë kishte krijuar një marrëdhënie prej 2 muajsh, krisja e të cilës pasoi me kërcënime.
“Nuredin Dumanin e kam njohur nëpërmjet kunatit tim Amarildo Xhanejt, që ndodhet në burgun 313.
Unë nuk e dija që Nuredini kishte të dashur jashtë. Mirjetën. E cila më kërcënoi, më tha më fakto që flet me Nuredinin.
Kur ja faktova me një voice, 5 minuta më vonë Nuredini më mori në telefon dhe më kërcënoi.
Ajo tregon se Nuredin Dumani pasi dështoi nga tentativa për të dëmtuar statusin e të penduarit të drejtësisë të Amarildo (Xhanej) Nikollit nga të dhënat që merrte nga kunata e tij pasi kjo e fundit iu drejtua SPAK duke treguar komunikimet me të, ai veproi hapur në burg.
“Më ka kërcënuar me Amarildon, e ka rrahur dy herë në burg brenda 1 jave e gjysmë”, shprehet ajo për Top Channel.
Sipas Alda Nikollit, Nuredin Dumanin nuk e pengojnë muret e qelisë për të vijuar aktivitetin kriminal.
“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion.
Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”, shprehet ajo.
Për të gjitha këto ajo i është drejtuar policisë dhe SPAK, por shprehet se është lënë e braktisur.
“Kam shkuar në SPAK dhe në Policinë e Elbasanit, nuk ka shans të bëj një denoncim ndaj Nuredin Dumanit. Në SPAK më thanë ka dashur të të trembë jo të të vrasë, se di mbase këtë radhë edhe e arrin”, tha ajo. TEMA