Egoja për sa më shumë perfitime në pushtetin që e shohin pas zgjedhjeve të parakohshme të cilat i kërkojnë, e ka vënë në rrezik rrugëtimin që bashkërisht mund ta bëjnë tutje tri subjektet politike opozitare – Lëvizja “Vetëvendosje” (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Opozita ndodhet në krizë shkaku i interesave të ngushta partiake.
Në rend dite tanimë nuk janë dy marrëveshjet, kundër të cilave këto subjekte u bënë bashkë: Marrëveshja e parimeve të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Asnjëra nga to nuk është anuluar. As Qeveria nuk është dorëhequr, një kërkesë e opozitës e dalë ndërkohë dhe e buçitur fortë në tri protestat masive që i ka organizuar në Prishtinë. Po kështu, as zgjedhjet e parakohshme që i ka kërkuar, nuk janë shpallur, shkruan “Koha Ditore”.
Kësisoj, arsyet për të cilat janë bërë bashkë, ende mbeten në fuqi. E, megjithëkëtë, zëra për ndarje rrugësh kanë dalë tash në skenë, kur subjektet politike opozitare kanë vënë mbi tavolinë listën me të cilën do të dilej para elektoratit, e edhe platformën politike.
LVV-ja, subjekt kryesor opozitar, ka refuzuar çfarëdo mase proteste, pa u pajtuar paraprakisht për platformën dhe listën. E AAK-ja, do që të ketë hise të njëjtë me LVV-në edhe në listë e edhe në programin qeverisës, gjë që nuk e pranon LVV-ja.
Kushtëzimit i ka paraprirë bojkoti i njëanshëm që i kanë bërë Kuvendit AAK-ja e Nisma.
Pasojat e para të këtyre zhvillimeve veç janë dëshmuar. Njerëzit kanë nisur të braktisin partitë, sikur është rasti me Donika Kadaj-Bujupin, tashmë ish-nënkryetare në AAK dhe shefe e deritashme e grupit parlamentar të kësaj partie.
Krahas kësaj, polemikat në distancë midis akterëve të këtyre subjekteve, vetëm sa marrin intensitet…