Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim punonjësit e Kadastrës së Kavajës, përfshirë edhe ish drejtorin e këtij institucioni. Sipas hetimit, u ngritën dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se punonjësit e Kadastrës së Kavajës: hartografi, inxhinieri Dritan Kazazi, dhe regjistruesi Seit Cikalleshi, i cili ka nënshkruar dhe konfirmuar praktikën çertifikatën për vërtetim pronësie të pasurisë nr.399, në vitin 2016. “Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.483 të filluar në datën 21.10.2021, u ngritën dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova se punonjësit e ASHK-së Kavajë, hartografi që ka përpiluar hartën Ing. Dritan Kazazi. dhe regjistruesi i ASHK-së Kavajë S.C., i cili ka nënshkruar dhe konfirmuar praktikën çertifikatën për vërtetim pronësie të pasurisë numër 399, kanë falsifikuar dokumentet, hartat e pronës dhe kanë pajisur me çertifikatë për vërtetim pronësie babain e shtetasve I.T dhe Q. T., për pasurinë më datë 23.05.2016, duke i ndryshuar vendin pronës prej 1900 m2 nga ullishte në pasurinë e cila ka qenë tokë pa frut në vitin 1991 për më shumë përfitime”, njoftoi dje Prokuroria.
“Po kështu, nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi Dritan Kazazi ka konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve pasi si person që ka pasur detyrë të verifikojë pozicionimin e pronës së fituar me AMTP, ai ka lëshuar një hartë e cila nuk përputhet me AMTP. Nga verifikimi i kësaj harte, ky dokument nuk plotëson asnjë kriter minimal për t’u quajtur dokument zyrtar dhe nuk tregon asnjë pozicionim të pronës. Ky dokument është një skicë e komisionit të ndarjes së tokës në vitin 1991, por që nuk ka asnjë lidhje me pasurinë në fjalë. Po kështu ASHK Kavajë nuk ka dërguar planin e rilevimit”, përfundon njoftimi. SOT