Në Kotor të Malit të Zi është çelur festivali i 23-të i KotorArt. Në këtë ngjarje artistike morën pjesë edhe artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të cilët udhëtuan drejt Kotorit për të interpretuar veprën e fuqishme të Carl Orff, “Carmina Burana”.
TKOB ndau online një album fotografik nga hapja e festivalit KotorArt si dhe shkroi: “Një event ku artistët e TKOB-së, përmes veprës Carmina Burana, arritën të transmetonin emocione të jashtëzakonshme për një publik të gjerë artdashësish dhe turistësh, të cilët nuk mund të mos afroheshin për të dëgjuar dhe duartrokitur fort”.
Më herët, gjatë këtij viti, “Carmina Burana” është shfaqur dhe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, por këtë herë sopranoja Rovena Xhelili, tenori Matias Xheli dhe baritoni Armando Likaj, së bashku me Orkestrën Simfonike të TKOB, e cila kishte dirigjimin e maestro Robert Homen dhe kori nën dirigjimin e maestro Dritan Lumshi sollën në skenën malazeze një vepër drithëruese që nis me një ndjenjë aq të fuqishme si “O fortuna” dhe vazhdon me “In Trutina”, ku reflektohen ndjenjat e dashurisë dhe vuajtjes njerëzore.