Rusia nuk ndal kërcënimet ndaj Europës pas vendimeve të marra në samitin e NATO-s në Uashington.
Kremlini thotë se kryeqytetet europiane mund të shndërrohen në objektiva bombardimi pasi ushtria e Putinit ka mjaftueshëm fuqi për t’iu kundërpërgjigjur vendosjes së raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në kontinentin e vjetër.
Pikërisht për lëvizjen e armëve të SHBA-ve në Gjermani deri në vitin 2026, Sekretari i Mbrojtjes, Llojd Austin, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun rus, Belusov. Në të njëjtën kohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmon se ka ende hapësirë për të gjetur pika bashkëpunimi mes Moskës dhe Uashingtonit.
“Europa po kalon një periudhë të vështirë dhe po “po shpërbëhet”, tha zëdhënësi i Putinit.
“Prandaj, historia është e destinuar të përsëritet në një mënyrë ose në një tjetër”, shtoi ai në një intervistë për mediat në Moskë, duke përmendur paralelisht rënien e Bashkimit Sovjetik në fund të përballjes së mëparshme me Perëndimin.
Ndërkohë, lufta në tokën e Ukrainës nuk ka ndalur. Shpërthime janë dëgjuar në rajonin Dnipro. Gjithashtu, Rusia ka sulmuar edhe në Kharkiv, duke plagosur mbi 25 persona, mes të cilëve dhe fëmijë.
Lufta e vazhdueshme, por edhe pretendimet apo parakushtet e Kievit për vendosjen e paqes, po konsiderohen pengesë për misionin hungarez. Kryeministri Viktor Orban njoftoi se në samitin e NATO-s i ka thënë jo anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë. Madje, ka kundërshtuar në sytë e Presidentit Zelenski edhe ndihmat ushtarake për Kievin. Përgjigja e disa prej vendeve anëtare në ato momente ishte duke rikujtuar se historia e vetë Hungarisë është dëshmi pse Ukraina e ka vendin në NATO.