Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë.
Ky ishte mesazhi i ministrit të Brendshëm, deputet e drejtues politik në qarkun Fier, në ceremoninë e mbajtur në Poçem të Mallakastrës, në nderim të 14 korrikut, ku përkujtohet Besëlidhja e Mallakastrës dhe 80 Vjetori i Çlirimit të Atdheut.
“Kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët!”, apeloi Taulant Balla.
“Nё tё tre kёto evenimente tё mёdha, Mallakastra nuk ka qenё vetёm, që përkujtohen në 14 korrik, Mallakastra ka patur nё krah Vlorёn, Tepelenёn, Beratin, Skraparin dhe Myzeqenё. Historikisht janё treva tё unifikuara nё doke, zakone, tradita dhe nё interesa shpirtёrore, materiale e atdhetare. Janё krahina qё janё mirёkuptuar nё qёllime dhe nё veprime dhe u janë gjetur njëra-tjetrёs nё çaste kur vendosej pёr fatet e atdheut”, tha Ministri.
Ai shtoi se shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për liri e kurrë nuk kanë qenë pushtues.
“Faktet flasin se Lufta Nacional-çlirimtare nuk ishte një konflikt idesh, por një betejë ushtrish të pabarabarta; nuk ishte një ndeshje e zakonshme, por një luftë e përgjakshme në malet, luginat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku partizanët luftuan, u plagosën, u ringritën, u vranë dhe mbetën të skalitur në historinë, këngët dhe kujtesën e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Balla.
“Lexoni çfarë ka shkruar që në vitin 1943 Uiston Çërçill, Kryeministri i Britanisë se Madhe në Luftën e Dyte Botërore dhe një antikomunist i denjë e i respektuar dhe jo qesharak si antikomunistët e sotëm shqiptarë: “Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vetë.
Oficerët britanikë te ndërlidhjes janë pranë këtyre partizaneve dhe i kanë çmuar lart cilësitë e tyre luftarake ne zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”. Ndërsa një vit më vonë, kur në malet e Ballkanit po frynte era e çlirimit dhe e lirisë, Çërçill, do të shkruante: “Në malet e thepisura të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Greqisë rezistenca e fuqishme kundër Gjermanisë ka mbërritur në kulmin e ashpërsisë”, citon ministri Balla.