Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç është identifikuar nga FBI si autori i atentatit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
“FBI-ja ka identifikuar Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park, Pensilvani, si subjekt i përfshirë në atentatin e ish-presidentit Donald Trump më 13 korrik, në Butler, Pensilvani. Ky mbetet një hetim aktiv dhe në vazhdim, dhe kushdo që ka informacion që mund të ndihmojë me hetimin inkurajohet të dërgojë foto ose video”, tha FBI në një deklaratë.
Motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta. Ish-presidenti Donald Trump u plagos gjatë mitingut të tij në Butler, Pensilvani. Autori u qëllua për vdekje nga autoritetet, ndërsa në ngjarjen e rëndë humbi jetën edhe një person i pranishëm në tubim, teksa dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Trump tha në rrjetet sociale se ai u qëllua nga një plumb në “pjesën e sipërme të veshit të djathtë”. Shërbimi Sekret tha se ish-presidenti është i sigurt pasi u nxor nga skena me gjak në fytyrë. Trump është kthyer në shtëpinë e tij në New Jersey, ku ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
/a.r