“Bashkia Himarë do të shkojë në zgjedhje, por do të doja shumë që asaj bashkie, pas datës 4 gusht t’i mbaronin problemet, edhe pse druaj se do të jetë e vështirë. Ajo është bashkia me problematikat më të mëdha në vend sepse brenda saj ka interesa të jashtëzakonshme. Aty është bërë bashkë krimi i organizuar, oligarkia dhe pushtetarët e korruptuar dhe këto nuk i ndan dot më nga njëri-tjetri”.
Kështu shprehet përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Skerdjan Dhuli, në studion e “Ditarit” në A2 CNN.
Në lidhje me kandidatin Petro Gjikuria, Skerdjan Dhuli deklaroi: “Unë personalisht jam pyetur që të kandidoja unë në këtë garë dhe kam refuzuar për shkaqe politike dhe personale. Një kandidat duhet të plotësojë disa kritere, me pluset dhe minuset e veta, por duhet thënë diçka: që në atë garë kandidon Edi Rama. Bindja ime ishte që kandidati duhet të kishte një lloj tipologjie tjetër. Së pari, duhet të ishte më përbashkues sesa unë. Kandidati në fjalë (Petro Gjikuria) vjen nga Uashingtoni, është përbashkues dhe një kandidat i tillë i intereson partisë. Ai ka lindur në Dhërmi, i ati ka qenë i burgosur politik”.
Kur u pyet nëse Petro Gjikuria di shqip, Dhuli u përgjigj: “Po, patjetër që di shqip sepse mua më shkruan shqip. Unë flas shqip me të. Sigurisht që është një person që ka 30 vite që nuk jeton në Shqipëri, por në çdo rrethanë është interes politik dhe strategjik i PD për shkak se ky person vjen me një suport të jashtëzakonshëm në Uashington. Përballë Edi Ramës, besoj që fushatën e këtyre zgjedhjeve e kemi bërë 14 muaj dhe i ka të gjitha kredencialet dhe mundësinë për të qenë fitues”.