Në Kuvendin e Kosovës është miratuar një Deklaratë për Mbështetjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, të datës 23 maj 2024. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një reagimi në Facebook ka deklaruar se Kosova vlerëson lartë miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në OKB.
“Përmes kësaj deklarate, shteti ynë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, duke riafirmuar kundërshtimin e Republikës së Kosovës ndaj mosndëshkimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës ose shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe për të kërkuar paqen e qëndrueshme, drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin, e vlerëson lartë miratimin e Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë,” tha Kurti.
Kurti u shpreh se me anë të kësaj deklarate në Kuvendin e Kosovës, Republika e Kosovës solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen.
“Për këto arsye dhe të tjera që rrjedhin prej tyre, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, për çka angazhohet për organizimin e aktiviteteve të ndryshme përkujtuese dhe në nderim të viktimave,”.
Kurti tha se populli i Kosovës ka qene viktimë e të njëjtave kategori të krimeve sikurse ai i Bosnjës.
“Duke qenë edhe vetë viktimë e të njëjtave kategori të krimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, populli i Kosovës e ka gjithë empatinë dhe solidaritetin me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe me popullin e Bosnjë e Hercegovinës”.
“Shoqëria dhe shteti i Kosovës as nuk harron dhe as nuk falë krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-’99”. Në përkujtim të viktimave të gjenocidit, për drejtësi, për të vërtetën dhe për historinë,” ka shkruar Kurti.